Rritet borxhi publik në Maqedoni
Shkup, 21 tetor - Në raportin e progresit të Komisionit Evropian apostrofohet si shqetësuese edhe rritja e borxhit publik në Maqedoni.
Maqedonia shënon përparim sa i përket ndërtimit të kapaciteteve ligjore për të konkurruar në tregun evropian, por lë për të dëshiruar cilësia e prodhimeve, theksohet në Raportin e progresit të Komisionit Evropian.
Në raport, gjithashtu, apostrofohet si shqetësuese edhe rritja e borxhit publik, ndërkohë që si pozitive është shënuar ruajtja e stabilitetit në planin makroekonomik.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, vlerësojnë se praktika ka dëshmuar se zhvillimi ekonomik përkatësisht integrimi ekonomik, për çdo vend para se të bëhet pjesë e familjes evropiane, ka qenë dhe tregues kryesor se ai vend po ecën në drejtim të duhur.
Një strategji e përbashkët për zhvillimin e ekonomisë së Maqedonisë paraqet dhe mënyrën më të mirë për t`u integruar, si dhe nevojitet transformimi i ekonomisë sonë në një ekonomi, e cila do të jetë konkurruese në tregun evropian, thekson Mirçe Cekrexhi, kryetare e Lidhjes së Odës Ekonomike të Maqedonisë.
Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë vlerëson se Maqedonia, për t`iu shmangur hendekut gjithnjë e më të thellë, në planin ekonomik, kundrejt vendeve të BE-së, duhet të arrijë një shkallë prej 6 për qind të bruto prodhimit vendor. Në të kundërtën, do të rritet edhe më shumë varfëria dhe vendi nuk do të arrijë të konkurrojë me prodhimet e saj në tregun e familjes evropiane.