Rriten sërish kreditë e këqija në Shqipëri
Tiranë, 8 gusht - Kreditë e këqija u rritën në gjatëmujorin e parë të vitit pavarësisht planit kombëtar që qeveria dhe Banka e Shqipërisë kanë vënë në jetë për uljen e tyre.
Të dhënat e fundit zyrtare nga banka qendrore tregojnë se në fund të muajit qershor, huatë me probleme arritën në 19.96 për qind e totalit.
Kjo shifër është më e ulët se sa qershori i vitit të kaluar. Por nëse krahasohet me fundin e vitit 2015, kredia me probleme është rritur me mbi 1.75 pikë përqindje.
Kreditë e këqija arritën kulmin në shtator të 2014-ës kur cekën shifrën 25 për qind. Me ndihmën e Fondit Monetar, qeveria dhe Banka e Shqipërisë hartuan një plan të përgjithshëm kombëtar për të përmbysur tendencën.
Plani parashikonte një sërë masash, mes të cilave edhe detyrimin e bankave për të nxjerrë jashtë bilanceve kreditë e keqija me afat mbi tre vjet.
Si rezultat i kësaj mase por edhe ristrukturimeve të huave më të mëdha problematike, kreditë e këqija zbritën deri në 18.22 për qind në dhjetor të vitit të kaluar.
Por pas këtij muaji, portofoli i huave të pakthyera është rritur sërish, i ndikuar veçanërisht nga falimentimi i kompanisë \"Kurum\" dhe kriza financiare e \"Armos\".
Shumë shpejt Parlamenti pritet të miratojë dy ligje kyçe, pjesë e planit kombëtar të kredive të këqija, që janë ligji i falimentit dhe ai për për shoqëritë e përmbarimit.
Autoritetet shpresojnë se të dy këto ligje do ta bëjnë më të lehtë uljen e kredive të këqija, që mbetet një nga ngërçet më të mëdha të ekonomisë.