16 Nëntor 2024

Rriten për 8.2% të hyrat e përgjithshme buxhetore

Prishtinë, 9 shtator - Ministria e  Financave publikon  Raportin për performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore për periudhën janar - gusht 2015.

Raporti për përformancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore përmban një analizë të shkurtër mbi trendët kryesore në të hyrat dhe shpenzimet buxhetore përgjatë periudhës janar-gusht të vitit 2015. Qëllimi i këtij raporti është të ofroj informata rreth performancës së të hyrave, përkatësisht ekzekutimit të shpenzimeve në raport me planin buxhetor vjetor si dhe krahasimin me periudhat paraprake.

Sipas këtij raporti del se të hyrat e përgjithshme buxhetore përgjatë periudhës janar-gusht janë rritur për 8.2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014, të shtyra kryesisht nga të hyrat tatimore.

Të hyrat nga taksat kufitare përgjatë kësaj periudhe kanë regjistruar 593.7 milionë euro apo 7.9% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Përveç rritjes në vlerë dhe sasi të importit, kësaj rritjeje i ka kontribuuar edhe rritja e normës së akcizës në disa produkte dhe rritja e importit të tyre.

Vlen të ceket importi i naftës, si produkti i cili më së shumti ka pësuar rënie në çmim (prej rreth -15% në mesatare përgjatë pjesës së parë të vitit 2015, sipas ASK-së) është karakterizuar me rritje në sasi prej 15.9% dhe rritje në vlerë doganore prej 10.1%  përgjatë periudhës janar - gusht 2015.

Rritje të theksuar në sasi dhe rrjedhimisht në të hyra ka shënuar edhe importi i veturave; më konkretisht, veturat e reja kanë regjistruar rritje prej 173 copë përderisa ato të vjetrat janë rritur për 1,650 copë (rritje që mund t’i ketë kontribuuar vendimi për uljen e normave të akcizës për veturat e vjetra deri në një numër të caktuar vitesh).

Të hyrat e arkëtuara në vend për këtë periudhë regjistruan rritje prej 9.2% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014, duke arritur vlerën prej 219.6 milionë euro.

Edhe përkundër faktit që kthimi i borxheve ndaj ATK-së është ngadalësuar, sjellje kjo që mund të jetë ndikuar nga pritjet për fillimin e implementimit të ligjit për faljen e borxheve, ritmi i rritjes së të hyrave vendore ishte i kënaqshëm.

Tek të hyrat vetanake të komunave, gjatë muajit gusht rënia ka arritur në 15% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Rrjedhimisht, të hyrat totale vetanake të nivelit lokal kanë arritur vlerën prej 34.1 milionë euro apo 46% të planit vjetor për këtë kategori. Të hyrat tjera jo-tatimore në përgjithësi kanë shfaqur realizim të kënaqshëm në raport me parashikimin për këtë periudhë.

Ndërsa, Shpenzimet buxhetore kanë regjistruar një rritje prej 4.7% duke arritur 903.7 milionë euro përgjatë periudhës janar-gusht, pra vazhdon të vërehet efekti i plotë i rritjes së pagave, pensioneve, e transfereve tjera të financuara nga shteti në muajin prill të vitit 2014.

Në ngadalësimin e rritjes së shpenzimeve ka ndikuar ekzekutimi i ulët i shpenzimeve kapitale dhe kursimet në kategorinë e shpenzimeve në mallra dhe shërbime. Krahasuar me planin vjetor sipas buxhetit të rishikuar, shpenzimet totale u ekzekutuan me normë prej rreth 54%.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)