19 Nëntor 2024

Rriten kreditë e këqija

Prishtinë, 3 shkurt - Kreditë joperformuese në Kosovë në vitin 2013 kanë shënuar rritje krahasuar me vitin paraprak, por, prapë mbeten më të ulëtat në rajon. Sipas zyrtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës, në fund të vitit 2013, ato kanë arritur në rreth 8.7 për qind.
 
Kjo për industrinë e bankave është shqetësuese, ndonëse ende mbetet i lartë niveli i mbulimit të tyre nga provizionet për humbje nga kreditë.

Kreditimi nga sektori bankar në Kosovë ka filluar të ngadalësohet. Kjo ka ndikuar që të rritet niveli i kredive joperformuese, që ndryshe njihen edhe si kredi të këqija për rreth 1.2 për qind në vitin 2013, krahasuar me vitin paraprak. Kështu thotë për Radio Kosovën, Arben Mustafa, drejtor i departamentit për politika ekonomike në Bankën Qendrore të Kosovës.

Ai sqaron se në fund të vitit 2013, gjithsej vlera e kredive kishte arritur në 1.81 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 2.4 për qind krahasuar me vitin 2012.

“8.7 për qind të gjithsej këtyre kredive janë kredi joperformuese, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar paraqet një rritje të lehtë, në fund të vitit të kaluar pjesëmarrja e kredive joperformuese ka qenë 7.5 për qind. Mirëpo vlera e kredive joperformuese vazhdon të jetë mirë e mbuluar me provizionet për humbje nga kreditë”, tha Mustafa.

Mustafa thotë se trendi rritës i kredive joperformuese nuk është shqetësues, pasi ato ende mbeten më të ulëtat në rajon.

“Nuk kemi të bëjmë me një situatë kur kemi një përkeqësim të përshpejtuar apo të shpejtuar të cilësisë së kredive, cilësia e kredive vazhdon të jetë e mirë, dhe jemi vendi i vetëm që nivelin e kredive joperformuese në gjithsej kreditë e kemi njëshifrore”, shton ai.

Por, rritja e kredive të tilla është shqetësuese për industrinë bankare, thotë Petrit Balija, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës.

“Ky trend i rritjes, megjithëse i vogël është shqetësues për industrinë e bankave, por konsiderojmë se niveli aktual është i përballueshëm për shkak të mbulueshmërisë së mirë që kanë bankat në Kosovë aktualisht”, thotë Balija.

Ekonomitë familjare kanë pjesëmarrje të ultë në kreditë joperformuese, kurse ato i shkaktojnë kryesisht bizneset, të cilat kanë nivel më të lartë të pasigurisë gjatë afarizmit, sidomos ato që merren me tregti dhe me prodhim.

 /Radio Kosova/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)