Rriten çmimet në Shqipëri
Tiranë, më 7 janar - INSTAT ka njoftuar se Indeksi i çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2013, arriti 116,2 %. Në muajin Dhjetor 2013 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1.9 %.
Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,4 %. Krahasuar me muajin Dhjetor 2012, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin Pije alkoolike dhe duhan me 4,2 % pasuar nga grupi Ushqime dhe pije joalkoolike me 3,5 %, Mallra dhe shërbime të ndryshme me 3,3 %, Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji me 2,3 %, etj. Ndërsa ulja me e madhe e çmimeve vërehet në grupin Komunikimi me 2,9 % pasuar nga grupi Shëndeti me 1,5 %, Transporti me 1,2 % etj",ka njoftuar INSTAT.
Rritja vjetore në muajin Dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi Ushqime dhe pije joalkoolike me 1,4 pikë përqind. Në këtë grup çmimet e zarzavateve janë rritur me 23,2 % dhe çmimet e frutave me 13,2 %. Rritja e çmimeve të grupit Pije alkoolike dhe duhan ka kontribuar me 0,2 pikë përqind në ndryshimin vjetor.
Krahasuar me një vit më parë çmimi i duhanit u rrit me 8,0 %. Çmimet e grupit Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji kanë kontribuar gjithashtu me 0,4 pikë përqind. Në këtë grup çmimet e materialeve për mirëmbajtjen e shtëpisë u rritën me 2,6 % dhe çmimi i ujit të pijshëm me 1,8 %.
Çmimet e ulëta të grupit Veshje dhe këpucë kanë ndikuar me - 0,2 pikë përqind në ndryshimin vjetor. Në këtë grup çmimet e veshjeve u ulën me 3,9 % dhe çmimet e këpucëve me 2,1 %.
Në Dhjetor 2013 ndryshimi mujor i indeksit është 1,7 %. Rritja mujore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi Ushqime dhe pije joalkoolike me 1,5 pikë përqind. Çmimet e zarzavateve u rritën me 26,1 %, vezëve me 9,1 %, frutave me 3,6 %, duhanit me 2,3 %.
Çmimet e larta të grupit Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji ndikuan me 0,1 pikë përqind në ndryshimin mujor. Në këtë grup çmimi i gazit të lëngshëm u rrit me 6,0 % dhe çmimi i druve të zjarrit me 4,1 %.
Nga ana tjetër çmimet e ulëta të grupit Transporti kanë ndikuar me - 0,01 pikë përqind në ndryshimin mujor. Çmimi i naftës u ul me 0,2 % dhe çmimi i benzinës me 0,1 %.