Rriten angazhimet për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër

Prishtinë, 2 prill - Me ftesë të BQK-së nga 30-31 mars, kanë qëndruar në një vizitë dyditore, për herë të parë në Kosovë, përkatësisht në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, delegacioni i lartë i Këshillit të Byrove të Kartonit të Gjelbër me seli në Bruksel.
Në përbërje të këtij delegacioni ishin Mariusz Wichtowski President i Këshillit të Byrove, Rudolf Elvers Drejtor ekzekutiv i Byrosë Motorike të Gjermanisë si dhe Alan Pire Sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Byrove.
Kjo vizitë është vazhdimësi e takimeve që BQK-ja po ndërmerr me qëllim të gjetjes së rrugës adekuate për anëtarësim sa më parë të Kosovës në Këshillin e Byrove.
Në takim me Gani Gërguri, U.D.Guvernator, Nexhat Kryeziu, Zëvendësguvernator si dhe përfaqësuesin e Ministrisë së Financave, z.Bashkim Isufi, mysafirët janë njoftuar mbi zhvillimet kryesore ekonomike, financiare e posaçërisht ato në industrinë e sigurimeve në Kosovë.
Gërguri nënvizoi rëndësinë dhe ndërlidhshmërinë e këtij anëtarësimi në kontekst të mbështetjes së lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave në dhe nga Kosova me shtetet tjera të Evropës, duke theksuar edhe implikacionet që gjendja ekzistuese i ka edhe në lëminë e konkurrentshmërisë ekonomike të vendit tonë me vendet tjera.
Ndërsa Zëvendësguvernatori Kryeziu, theksoi aktivitetet që janë në zhvillim e sipër nga ana e BQK-së për plotësim të legjislacionit i cili do të mundësojë anëtarësimin tonë sa më të shpejtë në këtë institucion duke nënvizuar gatishmërinë e BQK-së që pas aprovimit të Ligjit mbi sigurimet e detyrueshme të themelojë edhe Byronë Motorike si dhe Fondin e posaçëm për tu përgjigjur kërkesave që parashtron Byroja e Kartonit të Gjelbër.
Gjithashtu, Isufi konfirmoi gatishmërinë e Ministrisë së Financave që të ndihmojë në përshpejtimin e këtij procesi.
Zyrtarë të Mbikëqyrjes së Sigurimeve të BQK-së, e njoftuan delegacionin rreth infrastrukturës ekzistuese ligjore të sigurimeve, performancën e saj financiare si dhe sfidat në të ardhmen.
Të njëjtat tema u trajtuan edhe në takimet me përfaqësuesit e industrisë së sigurimeve si dhe Fondin e Garancisë së Kosovës.
Mysafirët premtuan që të mbështesin iniciativën e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion.
Pritet që në shtator të shtrohet kërkesa e Kosovës në Asamblenë e përgjithshme të Kartonit të Gjelbër, në mënyrë që Kosova të pranohet apo eventualisht të gjendet një zgjidhje kalimtare e cila do të hapte rrugë që makinat me targa të Kosovës të lëvizin lirshëm edhe në vendet e tjera dhe po ashtu të njihet edhe Kartoni i Gjelbër i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe shtetasve që vizitojnë Kosovën , pra të mos kenë nevojë të paguajnë polica kufitare.