RrGK prezanton raportin “Ku janë paratë për të drejtat e grave?”
Ky raport paraqet tendencat e financimit të organizatave për të drejtat e grave në shtetet e Ballkanit Perëndimor (BP), nga viti 2014 deri në pjesën e parë të vitit 2019.
Folëse në këtë ngjarje janë: Petra Tötternam Andorff, Sekretare e Përgjithshme, Fondacioni Kvinna till Kvinna; Lisa Bjuggstam, Këshilltare Ministrore, Zëvendëse e Departamentit për Punë të Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Përfaqësuese e Përhershme e Suedisë në Bashkimin Evropian; Katarina Barley, Nënkryetare e Parlamentit Evropian; Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit në RrGK; Massimo Mina, Drejtues i Ekipit, Kornizës financiare shumëvjeçare, Komisioni Evropian, Drejtoria e Përgjithshme për Politika të Zgjerimit dhe Fqinjësisë; dhe Liselotte Isaksson, Shefe e Sektorit për Shoqëri Civile dhe Integrim Shoqëror të Ballkanit Perëndimor, Komisioni Evropian, Drejtoria e Përgjithshme për Politika të Zgjerimit dhe Fqinjësisë.
Raporti është shkruar nga RrGK në bashkëpunim të ngushtë me shtatë organizata për të drejtat e grave në rajon: Rrjeti i Fuqizimit të Gruas (Shqipëri), Qendra e Grave Autonome (Serbi), Qendra për të Drejat e Gruas (Bosnje dhe Hercegovinë), Rrjeti Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Maqedonia e Veriut), Të drejta për të gjithë (Bosnje dhe Hercegovinë), Shoqata e Grave Peščanik (Serbi) dhe Qendra për të drejtat e grave (Mali i Zi), mbështetur nga Fondacioni Kvinna till Kvinna.
Organizatat për të drejtat e grave janë në vijë të parë për të adresuar pabarazitë gjinore që ekzistojnë në Ballkanin Perëndimor.
Ato krijojnë ndryshimet, për më tepër ato janë avokueset, ofrueset e shërbimeve, studiueset dhe ekspertet që kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë në shoqëri, politikë, ligje, ekonomi dhe në nivelin individual në shtetet e tyre dhe më gjerë.
Këto organizata mbesin të gatshme për të vazhduar adresimin e pabarazive gjinore në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Për këtë gjë, ato kanë nevojë për fonde. Ky raport shqyrton fondet e disponueshme për punën e tyre.