RRGGK reagon ndaj komenteve ofenduese te Ministrit Stavileci
Prishtinë, 27 shkurt - Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) reagon ndaj komenteve të fundit ofenduese të bëra nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci. RrGGK beson që Ministri Stavileci ka bërë komente pavend për të papunët, të varfërit, e në veçanti gratë.
Këto komente janë bërë gjatë dy ngjarjeve: në lancimin e raportit hulumtues nga Demokracia për Zhvillim (D4D) me titull Sa kushton patriarkati?, si dhe në një intervistë në emisionin Interaktiv në KTV.
Komentet e bëra gjatë lancimit të raportit të D4D me 25 shkurt, përfshinin qëndrime që i referoheshin të papunëve në Kosovë që sipas Ministrit Stavileci kanë marrë remitanca si parazitë, dhe kjo varësi nga remitancat i ka kthyer ata në dembelë.
RrGGK dëshiron të kujtoj Ministrin Stavileci që sipas raportit hulumtues lancuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNDP, totali i remitancave që janë marrë në Kosovë përbën vetëm 9.3% të Bruto Produktit Vendor të Kosovës.
Më tutje, në vitin 2012, në total 22,4% e familjeve në Kosovë kanë pranuar remitanca. Ky studim gjithashtu konkludon që pjesa më e madhe e remitancave shpenzohet në veshëmbathje dhe ushqim.
RrGGK dëshiron të kujtoj Ministrin Stavileci që varësia në remitanca është rezultat i nivelit të lartë të varfërisë dhe papunësisë, duke qenë që 30% e Kosovarëve jetojnë në varfëri dhe 10% në varfëri të skajshme, veçanërisht gratë kryefamiljare (38%).
RrGGK i konsideron komentet e Ministrit Stavileci si të pavend dhe mendon se ai duhet të trajtoj vetë problemin, që është varfëria dhe papunësia, në vend se të trajtojë simptomën e problemit, varësinë nga remitancat.
Komente të tjera problematike janë bërë më vonë nga Ministri Stavileci në emisionin Interaktiv në KTV. Në këtë emision, Ministri Stavileci u shpreh që njëri nga problemet kryesore të shoqërisë në Kosovë është shkalla e lartë e lindjeve dhe mungesa e planifikimit familjarë.
Ai u shpreh që është e pamjaftueshme për shtetin që të përmbushë detyrat që ka, pasi që dikush i cili fiton 300 në muaj nuk duhet të lindë 7 fëmijë, përkundrazi ai person duhet të jetë i vetëdijshëm për kapacitetet që ka, shtoi ai.
Më tutje, ai gjithashtu u shpreh që personat të cilët nuk kanë investuar në ardhmërinë e tyre dhe bëjnë fëmijë, nuk duhet të presin duke ndenjur në shtëpi që dikush të ju zgjatë dorën dhe te ju ndihmojë tërë kohën, e me dikush ai iu referua shtetit.
RrGGK dëshiron sërish të kujtoj Ministrin Stavileci që shkalla e lartë e lindjeve në mënyrë strikte lidhet me shkallën e varfërisë, papunësinë e lartë, dhe nivelet e ulëta të edukimit.
Shkalla e lartë e lindjeve shkaktohet nga këto të fundit, e jo anasjelltas, veçanërisht në Kosovë ku shkalla e varfërisë, pëpunësisë, dhe mungesa e edukimit është shumë e lartë, sidomos në mes të grave dhe minoriteteve. Pjesëmarrja e grave në Fuqinë Punëtore për vitin 2012 ishte vetëm 17.8%, dhe vetëm 8% e grave kanë pronë.
Ajo që nuk duhet të ndodhë në asnjë rrethanë, është që shteti të fajësojë qytetarët që pranojnë remitanca dhe që kanë shkallë të lartë të lindjes, të cilat janë vetëm simptoma e jo problemi kryesor.