15 Nëntor 2024

RrGGK kërkon ndryshime në projektbuxhetin për vitin 2016

Prishtinë, 9 dhjetor - Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), dje iu ka drejtuar letër zyrtare deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar ndryshime në projektbuxhetin për vitin 2016.

Si qytetarë dhe taksapagues të Kosovës, po ju shkruajmë të shprehim shqetësimin tonë lidhur me projektbuxhetin ekzistues për vitin 2016.

Projektbuxheti nuk reflekton në mënyrë adekuate nevojat themelore të qytetarëve të Kosovës.

Rrjedhimisht, ju paraqesim rekomandimet e mëposhtme dhe kërkojmë që projektbuxhetit t’i bëhen këto ndryshime para aprovimit të tij. Të gjitha rekomandimet janë të bazuara në hulumtime të bëra së fundi nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), të cilat mund të gjinden në uebfaqen tonë, ose të kërkohen sipas nevojës.

Kërkesa 1. Të ulën rrogat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët fitojnë përafërsisht 2,810 euro në muaj, tetë herë më shumë se paga e një qytetari mesatar (360 euro). Nëqoftëse pagat e deputetëve ndahen përgjysmë, përafërsisht 2 milion euro mund të përdoren për qëllime të tjera. Kjo prapë do t’i lejonte deputetët që të fitojnë mesatarisht katër herë më shumë se paga mesatare mujore në Kosovë.

Kërkesa 2. Të suspendohen mëditjet për vizita jashtë vendit dhe të zvogëlohen mëditjet.

Në vitin 2014, Lëvizja FOL kalkuloi se institucionet e Kosovës kishin harxhuar përafërsisht 3 milion euro në mëditje. RrGGK potencon se kjo shifër mund të jetë akoma më e lartë, deri në 6 milion euro, duke u bazuar në mungesën e transparencës në raportimin e mëditjeve nga ana e institucioneve. Këto resurse, të cilat momentalisht dërgohen jashtë vendit, mund të harxhohen në nevoja më urgjente brenda shtetit.

Kërkesa 3. Të tërhiqet vendimi 02/59 mbi pagat e zëvendës kryeministrave, ministrave, zëvendës ministrave, dhe Drejtorit/es së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Ky vendim lejon zëvendës kryeministrat, ministrat, dhe drejtorin/en e Agjencisë Kosovare të Intelegjencës të vazhdojnë të marrin 70% të pagave të tyre nga qeveria edhe për një vit pas përfundimit të mandatit të tyre. Me numrin e lartë të zyrtarëve të tillë, edhe ky është një shpenzim i paarsyeshëm.

Kërkesa 4. Të hapeen më shumë institucione të arsimimit parashkollor.

Vitin e kaluar, 41% të grave të Kosovës ishin të papunësuara, ndërsa 78.6% ishin ekonomikisht jo-aktive (nuk kërkonin punë). Sipas një anketimi mbarë kombëtar të ekonomive familjare të realizuar nga RrGGK në 2015, gati 25% e grave nuk kërkonin punë për shkak të përkujdesjes ndaj fëmijëve dhe të moshuarve. Investimi në vetëm 10 institucione parashkollore do të ndikonte pozitivisht në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.

Kërkesa 5. Të rritet buxheti për konvikte në Universitetin e Prishtinës.

Universiteti i Prishtinës ka hapësirë për vetëm 44.5% të aplikuesve për banim. Shumica e studentëve që përfitojnë nga siguria dhe përballueshmëria financiare e banimit në konvikte janë vajza dhe gra. Rritja e vendeve për banim do të ju mundësonte më shumë vajzave dhe djemve që të vijojnë studimet në Universitetin e Prishtinës, sidomos atyre që jetojnë jashtë Prishtinës.

Kërkesa 6. Të rritet buxheti për strehimore për djemtë/burrat, personat LGBTI dhe qytetarët që jetojnë në veri të Kosovës.

Hulumtimet e RrGGK-së kanë dëshmuar se djemtë/burrat, personat LGBTI dhe qytetarët e Kosovës veriore të cilët përjetojnë dhunë në bazë gjinore janë të nën-shërbyer nga strehimoret ekzistuese, përkundër të drejtave të tyre për mbrojtje dhe mbështetje nga shteti. Propozojmë hapjen e tri strehimoreve të reja me fokus të veçantë mbi djemtë dhe burrat që përjetojnë dhunë në familje, personat e abuzuar të komunitetit LGBTI dhe qytetarët e veriut të Kosovës.

Kërkesa 7. Të garantohet buxheti për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Aktivistët kanë vlerësuar që kjo do të kushtojë rreth 1,800,000 € në vitin 2016, sipas Ligjit të ri, për 500 të mbijetuarit e dhunës në familje që të marrin nga 300 € në muaj. Kjo shifër duhet të garantohet nga qeveria e Kosovës, ashtu sikur garantohet mbështetja për kategoritë tjera të dalura nga lufta.

Kërkesa 8. Të rritet buxheti për personat që kujdesen për invalidët civil të luftës.

Personat që kujdesën për invalidë të UÇK-së marrin penzione 4.5 herë më të larta se sa personat që kujdesën për invalidë civil, edhe pse kryejnë obligimet e njëjta. Kjo është diskriminuese ndaj kujdestarëve të invalidëve civil, që në të shumtën e rasteve janë gra prej zonave rurale. Buxheti i alokuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për penzione të tilla duhet rritur për 72,240 euro për të adresuar këtë pabarazi.     

 Në përgjithësi, ne kërkojmë që në të ardhmen ju të filloni një kërkim zyrtarë për nevojat dukshëm të paplotësuara të Kosovës, sikur kujdesi ndaj të moshuarve, fëmijëve, dhe personave me aftësi të kufizuara. Duke investuar në sektorin e kujdesit në Kosovë do të mund të krijoheshin me mijëra vende pune, të zvogëlohet papunësia, dhe në veçanti të ju mundësohet më shumë grave që të bëhen pjesë e fuqisë punëtore.

Ne do të ishim të gatshëm të ju ofronim prova të mëtutjeshme në mbështetje të rekomandimeve tona nëse ju i kërkoni. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)