RrGGK dhe ADA nënshkruan kontratën tre vjeçare për të drejtat e grave
Prishtinë, 27 nëntor - Austrian Development Agency (ADA) dhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) mbajtën konferencë për media ku njoftuan për vazhdimin e bashkëpunimit të tyre edhe për tre vite të tjera përmes Iniciativës për Avancimin e të Drejtave të Grave.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin z. Johann Brieger, Ambasadori i Austrisë në Kosovë; Z. Karlheinz Kopf, Zëvendës President i Parlamentit të Austrisë; Christian Geosits, Udhëheqës i Zyrës së Austrian Development Agency në Kosovë; Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës; dhe Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës.
Në emër të parlamentit tonë, më lejoni të ju them se jemi shumë të lumtur që vendi ynë po përkrahë veprimtarinë e qështjeve të grave në Kosovë. Përmes këtij bashkëpunimi, sot ne po hapim një kapitull të ri, u shpreh Z. Karlheinz Kopf. Që të kemi një shoqëri të zhvilluar duhet që edhe gratë të kenë pozita të rëndësishme vendimmarrëse. Prandaj, është e rëndësishme që të kemi organizata si e juaja të cilat krijojnë mundësi për gra, dhe kur ne përkrahim RrGGK përkrahim të gjitha gratë dhe vajzat e Kosovës.
Nënshkrimi zyrtar i kontratës u bë nga Christian Geosits, Udhëheqës i Zyrës së Austrian Development Agency në Kosovë dhe Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës.
Një ndër pikat kryesore në të cilat ADA punon, është përmirësimi dhe avancimi i të drejtave të grave, tha Christian Geosits. Ne punojmë me partnerë kur e dijmë që rezultati në fund do të jetë ai që kemi pritur që në fillim. Ne e kemi gjetur një organizatë shumë të fuqishme dhe mendoj një ndër akterët më të fuqishëm për të drejtat e grave, dhe kjo është RrGGK.
Iniciativa për Avancimin e të Drejtave të Grave është paraparë të fillojë me 15 dhjetor 2014 dhe të zgjasë deri me 31 dhjetor 2017. Qëllimi i projektit është të përmirësojë kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile (OSHC) të udhëhequra nga gratë dhe të zyrtarëve publik në përkrahjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të grave dhe vajzave. Nëpërmjet kësaj iniciative, RrGGK do të arrijë rezultatet e mëposhtme:
OSHC-të e udhëhequra nga gratë do të formojnë koalicione dhe do të bashkëpunojnë në koalicione, duke punuar me zyrtarët në avokim drejt mbrojtjes së të drejtave të grave;
Pjesëmarrja e grave në politikë dhe vendimmarrje në nivel lokal dhe qendror do të rritet dhe përmirësohet, bazuar në Ligjin për Barazi Gjinore.
Vetëdijësimi dhe vëmendja lidhur me adresimin e dhunës në baza gjinore në mesin e zyrtarëve dhe qytetarëve do të përmirësohet.
RrGGK do të arrijë këto qëllime përmes punëtorive interaktive dhe mentorimit individual për organizatat e saj anëtare dhe zyrtarët publik (përfshirë edhe institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor); duke ndarë në mënyrë transparente së paku 29 grante tek OSHC-të e udhëhequra nga gratë në shumë totale prej 122,000; rrjetëzimit; ngritjes së vetëdijes; hulumtimit; dhe avokimit.
Përkrahja e ADA-së do të luajë rol kyç në zbatimin e Strategjisë së re të RrGGK 2015-2018. Më tutje, ajo do të vazhdojë mbi rezultatet kyçe të arritura gjatë përkrahjes paraprake dy-vjeçare të ADA-së për RrGGK-në.