Rreth 7 mijë persona u punësuan këtë vit
Prishtinë, 5 dhjetor - Gjatë vitit 2015 në Kosovë, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë punësuar rreth shtatë mijë persona, bëjnë me dije për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të kësaj ministrie.
Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, ka treguar se gjatë këtij viti janë realizuar një numër i madh i projekteve që kanë të bëjnë për aftësim profesional dhe punësim.
Sipas të dhënave tona të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, totali i të punësuarve është 6 556 persona, prej tyre 1 921 janë femra, të tjerët janë meshkuj të të gjitha nacionaliteteve, por shumica prej tyre janë të rinj që i përkasin nacionalitetit shqiptar, ka thënë Hajzeraj.
Hajzeraj ka bërë me dije se një grup i infermierëve gjatë këtij viti ka shkuar të aftësohet dhe të punojë në Zvicër.
Kurse një grup tjetër, sipas saj, ka shkuar në Gjermani, në të cilin vend janë punësuar në kompani të ndryshme që kanë të bëjnë me aftësim dhe punësim në profesionet e inxhinierisë.
Të gjithë këta persona i numërojmë të punësuar, pasi ata kanë shkuar në Gjermani apo në Zvicër për tre muaj, por kthehen e shkojnë prapë edhe për tre muaj të tjerë dhe nuk dihet se sa zgjat marrëveshja me ta. Nëse këto kompani kanë nevojë për punëtorë ata vetëm e vazhdojnë kontratën me këta punëtorë ose kërkojnë edhe punëtorë të tjerë, ka sqaruar Hajzeraj.
Punësime të tjera, sipas Hajzerajt, ka pasur nëpërmjet programeve të UNDP-së, që është programi për vetëpunësim, ku kanë përfituar 40 biznese dhe vetëm në këtë vit janë punësuar rreth 120 persona.
Papunësia është një nga problemet më të mëdha që e ka përcjellë shoqërinë kosovare vitet e fundit. Përfaqësues që mbrojnë të drejtat e punëtorëve kanë thënë se numri i të punësuarve gjatë këtij viti është i pamjaftueshëm për ta ulur nivelin e lartë të papunësisë.