19 Nëntor 2024

Rreth 48 për qind e depozitave janë të afatizuara

Prishtinë, 8 janar - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se depozitat e klientëve në bankat komerciale janë rritur në vlerën 2,36 miliardë euro. Rreth 48 për qind e depozitave janë të afatizuara, ndërsa raporti i kredive ndaj depozitave mbetet në nivelin 76 për qind.

“Huamarrjet e bankave, detyrimet e tjera dhe provizionet për kredi nuk kanë pasur ndryshime të rëndësishme, fitimi i bankave komerciale deri në muajin nëntor 2013 shënoi vlerën 23.6 milionë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, fitimi është rritur për 14.3 për qind. Kapitali i bankave komerciale arriti në 251.1 milionë euro. Krahasuar me nëntorin e vitit 2012, kapitali u rrit me 3.4 për qind”, ka njoftuar BQK-ja.

Sipas BQK-së, asetet e bankave komerciale janë rritur për 24.8 milionë euro ose 0.8 % krahasuar me muajin paraprak. “Vlera e aseteve të bankave komerciale më 30 nëntor 2013 ishte 2.98 miliardë euro. Në kuadër të aseteve, bilanci i bankave komerciale në BQK është rritur për rreth 17.1 milionë euro. Bruto kreditë e bankave komerciale shënuan vlerën 1.8 miliard euro, që paraqet një rritje prej 4.4 milionë eurosh nga muaji paraprak. Investimet e bankave arritën në 278,1 milionë euro, apo rritje mujore prej 6.4 milionë eurosh”, ka njoftuar BQK-ja.

Pavarësisht leverdisë së bankave, normat e interesit në depozita nuk kanë shënuar ndryshime të theksuara nga muaji paraprak. “Në mesatare, norma e interesit në depozita për muajin nëntor ka qenë 3.2 për qind. Rënia e mesatares së përgjithshme për 0.1 pikë përqindje krahasuar me periudhën paraprake erdhi si rezultat i uljes së normave të interesit në depozita të ekonomive familjare”, ka njoftuar BQK-ja.

Po sipas BQKL-së, norma e interesit në kredi nga bankat komerciale ka shënuar rritje të vogël krahasuar me periudhën paraprake. “Në mesatare, norma e interesit për muajin nëntor ka qenë 12.2 për qind. Rritja e mesatares së përgjithshme për 0.5 pikë përqindje krahasuar me tetorin e 2013-s erdhi kryesisht si rezultat i rritjes së lehtë të normave të interesit për korporata jofinanciare”, ka njoftuar BQK-ja.
Norma e interesit në kredi nga institucionet mikrofinanciare për muajin nëntor ka qenë 22.5 për qind, duke shënuar rënie për 1.4 për qind nga periudha paraprake, që kryesisht si rezultat i rënies së normave të interesit për ekonomitë familjare.

“Në përgjithësi, ekonomitë familjare paguajnë normë interesi më të lartë me 22.9 për qind, krahasuar me korporatat jofinanciare 20.1 për qind. Megjithatë, pjesëmarrja e ekonomive familjare në gjithsej kreditë e reja është shumë më e lartë rreth 85 për qind”, ka njoftuar BQK-ja.

Kryeziu: Fondet nga devizat të futen në zhvillimin e vendit

Njohësi i sistemit bankar në vend, Nexhat Kryeziu, ka deklaruar se bankat në Kosovë gjithnjë kanë pasur likuiditet të mjaftueshëm, ndërsa shihet se plasimi i këtyre depozitave në kredi ka qenë gjithmonë i debatueshëm në atë se sa duhet bankat të japin kredi dhe me çfarë kamate. “Në raportet e fundit të rregullatorit bankat komerciale kanë pasur raport kredi depozita është 76 %, që do të thotë se bankat komerciale kanë potencial kredidhënës në ekonomi”, ka deklaruar ai. Sipas tij, stimulimi i kredidhënies në ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe sektorëve të tjerë jashtë tregtisë dhe shërbimeve nuk duhet të shihet vetëm si përgjegjësi e bankave komerciale, por edhe institucioneve shtetërore kompetentë.

 “Krijimi i fondeve të veçanta për kreditim të ndërmarrjeve dhe degëve që bankat hezitojnë të financojnë p.sh. bujqësisë si dhe kooperimi me banka për ndarjen e rrezikut në rast se kreditë nuk kthehen janë mundësi që mund ta ngjallin financimin e veprimtarive që janë në interes për ekonominë e vendit”, ka theksuar ai. Sipas tij, këto fonde do të mund ta bënin edhe sigurimin e punësimeve shtesë dhe prodhimin e produkteve për plotësimin e nevojave të vendit, ku do të zëvendësoheshin produktet e importurtuara.

“Duhen edhe programe të veçanta për biznese në lëmin e trajnimeve dhe asistencës teknike në drejtim të përgatitjes së tyre, duke iu përshtatur ekonomisë së tregut dhe ngritjes së kapaciteteve njerëzore të tyre”, ka theksuar Kryeziu, i cili është edhe ligjërues në Kolegjin ISPE.(Epoka e re )
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)