16 Nëntor 2024

Rreth 40 zyrtarë të dyshuar për shkelje të procedurave doganore

Prishtinë, 24 maj - Vetëm gjatë këtij viti Doganat e Kosovës kanë hapur rreth 19 raste disiplinore me rreth 40 zyrtarë të dyshuar për shkelje të procedurave doganore, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

Rastet, sipas tij, kanë të bëjnë me korrupsion, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje të ndryshme të Rregullores së punës së Doganave dhe shkelje tjera ligjore.

“Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2014, ka rritur aktivitetet e saj në luftimin e dukurive negative brenda në doganë. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur 42 raste të procedurave të ndryshme disiplinore kundër zyrtarëve doganor”, tha Stavileci

“Në këto raste kanë qenë të përfshirë mbi 80 zyrtarë, ku 11 prej tyre janë dërguar në procedurat e mëtejme në Prokurori. Gjatë vitit 2014, Dogana ka ndërmarrë 17 raste të suspendimit të doganierëve”.

“Në vitin 2015 e deri më tani, kemi hapur 19 raste disiplinore, në të cilat dyshohet se janë të përfshirë mbi 36 zyrtarë, ku kemi procedurë penale në dy raste me nga pesë zyrtarë”, bën të ditur Stavileci.

Dogana e Kosovës ditë më parë kishte njoftuar për suspendimin e një zyrtari doganor me dyshimin se ka bërë futjen e mallrave pa taksa doganore brenda territorit të Kosovës.

Doganat e Kosovës janë kontribuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e shtetit tri tatime kryesore: Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në import, taksën doganore dhe akcizën.

Të gjitha qeveritë pas luftës, duke përfshirë edhe qeverinë aktuale, kanë deklaruar se do të luftojnë këto dukuri negative, madje, duke e vendosur si prioritet në politikat e tyre parandalimin e ekonomisë joformale, korrupsionit dhe formave tjera të ekonomisë së zezë.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq, thonë se me gjithë faktin se ka pasur hapa pozitiv në zvogëlimin e nivelit të ekonomisë joformale, ende ka hapësirë për mobilizim dhe angazhim për të luftuar këto dukuri negative.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se dukuritë negative, siç janë këto që paraqiten brenda institucioneve, si Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës, janë të dëmshme për zhvillimin e bizneseve.

“Zakonisht, flitet për masa jo shumë konkrete dhe efikase në luftimin e korrupsionit. Shifrat e tilla të suspendimit të doganierëve nuk janë të kënaqshme, meqenëse ka prani edhe më të madhe të korrupsionit dhe të veprimeve tjera të kundërligjshme. Megjithatë, japin një sinjal shprese se ka institucione që kanë marrë masa për parandalimin e këtyre dukurive brenda institucioneve të tyre ”, thotë Zeka.

Sidoqoftë, masat e ndërmarra nga Doganat e Kosovës sipas zëdhënësit të këtij mekanizmi, AdriatikStavileci, tregojnë përkushtimin e Doganave për çrrënjosjen e keqpërdorimeve eventuale dhe përkushtim për të shërbyer me devotshmëri kundrejt qytetarëve të Kosovës.

Ndryshe, në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që shmang kontrollin doganor duke bartur mallra dhe kalon vijën kufitare, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /REL/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)