Rreth 2 miliardë i humbin buxhetit në vit
Prishtinë, 13 prill - Me gjithë premtimet e bëra të kreut të ekzekutivit, Isa Mustafa, se Qeveria e tij do të luftojë pamëshirshëm monopolet dhe shkallën aq të lartë të informalitetit në vend, në 3-4-mujorin e parë të qeverisjes nuk janë parë rezultate konkrete.
Pushtetarët aktualë po heshtin përballë shkallës së lartë të informalitetit në vend, e cila, sipas njohësve të kësaj fushe, thuhet se i ofrohet shifrës prej 2 miliardë eurove në vit.
Zyrtarët e Ministrisë së Financave nuk janë përgjigjur në pyetjet e drejtuara lidhur me temën, duke thënë se një përgjigje do ta japin tek ditën e martë.
Ndërsa, zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, nuk është përgjigjur fare në këto pyetje.
Analistët ekonomikë habiten se si i tërë ky informalitet po ndodh para gjithë atij numri të të punësuarve që i kanë doganat, para diku rreth 500 sish, para më shumë se 300 inspektorëve të ATK-së në praninë e rreth 8000 policëve dhe administratës glamuroze.
/Kosova Sot/