16 Nëntor 2024

Rregullimi i banimeve joformale, përmirëson jetën e qytetarëve

Prishtinë, 3 nëntor - Në organizim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), dhe mbështetjen e OSBE-së, në Prishtinë po mbahet konferenca dyditore rajonale për vendbanimet joformale.

Me këtë rast, shtetet nënshkruese të Deklaratës së Vjenës po prezantojnë të arriturat dhe përvojat e fituara në përmbushjen e detyrimeve për periudhën 10-vjeçare. Pjesë e rëndësishme e konferencës pritet të jenë dhe diskutimet për veprimet që duhet ndërmarrë në vazhdim të procesit për trajtimin e vendbanimeve joformale.

Në konferencë krahas Kosovës, po marrin pjesë dhe përfaqësues të shtetit të Shqipërisë, të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi, donatorë të Qeverisë së Kosovës - USAID, BE, UN Habitat dhe UNMIK, zyrtarë të komunave etj.

Në fjalën e tij në hapje të konferencë, ministri i Mjedisit, Ferid Agani, ka treguar se MMPH-ja, që nga viti 2004, në vazhdimësi është angazhuar në çështjen e rregullimit të Vendbanimeve Joformale, duke përmbushur detyrimet që dalin nga Plani për Zbatimin e Standardeve për Kosovën (PZSK) Standard i V - “E drejta pronësore”.

“Hapin e parë në drejtim të përmbushjes së obligimeve në këtë aspekt, Kosova ka arritur me nënshkrimin e ‘Deklaratës së Vjenës’ në vitin 2005. Deklarata ka për synim arritjen e marrëveshjeve të përbashkëta për veprimet që rregullojnë (me qëllim të legalizimit) dhe përmirësojnë kushtet e jetesës në vendbanime joformale në mënyrë të qëndrueshme dhe njëkohësisht parandalojnë krijimin e vendbanimeve të tilla në të ardhmen”, tha Agani.

Bazuar në “Deklaratën e Vjenës”, Vendbanimet Joformale definohen si vendbanime njerëzore, të cilët për arsye të ndryshme nuk i përmbushin kërkesat e njohjes ligjore, janë të ndërtuara pa respektuar procedurat formale ligjore të pronësisë, përfshirë edhe transferimin e të pronësisë dhe mosrespektimin e rregullorve të planifikimit urban dhe të ndërtimit.

Vendbanimet joformale karakterizohen me zotim joformal apo të pasigurt të tokës, qasje jo të përshtatshme në shërbimet bazë si në infrastrukturën sociale dhe fizike dhe në financim të banimit. Menaxhimi i qëndrueshëm urban, përveç tjerash kërkon që vendbanimet joformale të integrohen në kornizën sociale dhe ekonomike, fizike apo hapësinore dhe ligjore, posaçërisht në nivelin lokal.

Deklarata po ashtu ka për qëllim që vendet e rajonit nënshkruese të saj, të pajtohen për veprime të përbashkëta në këtë aspekt.

Me nënshkrimin e deklaratës, palët marrin përsipër që të përmbyllin një zgjidhje rajonale për Vendbanime Joformale deri në vitin 2015; të bëhet rregullimi dhe përmirësimi maksimal i mundshëm i Vendbanimeve Joformale, duke mos dëmtuar zhvillimin urban, shkeljen e të drejtave njerëzore, mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe hapësirës në përgjithësi.    

Ministri Ferid Agani u shpreh, mes tjerash, se Plani i Veprimit për Partneritet Evropian (PVPE), si trashëgues i Planit për Zbatimin e Standardeve në Kosovë si dhe reflektimi i çështjes në Ligjin Nr. 04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, obligon komunat se gjatë hartimit të dokumenteve strategjike dhe normative të planifikimit hapësinor të trajtohen Vendbanimet Joformale me qëllim të parandalimit dhe rregullimit të tyre.

“MMPH, në bazë të politikave zhvillimore dhe përmbushjes së detyrimeve në proceset integruese të vendit ka përgatitur Ligjin për Planifikimin Hapësinor, ku në nenet përkatëse obligohen komunat të trajtojnë vendbanimeve joformale me qëllim të parandalimit dhe rregullimit të tyre”.

Në bazë të të dhënave zyrtare, 29 komuna kanë hartuar dhe miratuar Planin Zhvillimor Komunal (PZHK) dhe Planin Zhvillimore Urban (PZHU); po ashtu një numër i konsiderueshëm i hapësirave kryesisht urbane të komunës është e mbuluar edhe me plane më të detajuara si Plane Rregulluese Urbane (PRrU).

“Me sa jemi të informuar dhe duke u bazuar në bashkëpunimet rajonale në planifikimin hapësinor që kemi si shtet, jemi të parët në rajon që kemi aplikuar reformën në të bërit planifikim hapësinor, përmes zonimit si Harta Zonale e Kosovës dhe Harta Zonale e Komunës, me anë të së cilave mundësohen procedura më të thjeshta dhe më të qarta për dhënien e kushteve ndërtimore dhe lejeve të ndërtimit”, tha ministri Agani.

Në fjalën e tij, para pjesëmarrësve të konferencës, kreu i MMPH-së shfaqi shpresën që kjo konferencë të ndikojë në hartimin e politikave zhvillimore që do të të orientojnë kah një zhvillim i qëndrueshëm dhe i baraspeshuar i planifikimit hapësinor për tërë territorin e vendit, si vlerë e përgjithshme kombëtare, përmes qeverisjes së mirë, shfrytëzimit të përshtatshëm të tokës, mbrojtje të mjedisit dhe trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Agani theksoi se rregullimi i vendbanimeve joformale përmirëson kushtet e jetesës për qytetarët dhe në këtë kontekst është parakusht për zhvillim të qëndrueshëm të hapësirës në aspektin ekonomik, social dhe mjedisor.

Në fund, në emër të Qeverisë së Kosovës, ai shprehu zotimin për zbatimin e legjislacionit me qëllim të sigurimit të një cilësie më të mire të jetesës për të gjithë qytetarët e vendit

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)