Ritualet e nusërisë në pullë postare
Prishtinë, 18 qershor - Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim postar emisionin më të ri të pullave postare titulluar Ritualet e nusërisë.
Përmes pullës postare dhe Zarfit të Ditës së Parë prezantohet një segment nga tradita e begatshme e Republikës së Kosovës.
Pulla postare prezanton largimin e vajzës nga kulla e prindërve gjatë ceremonisë së martesës.
Pozita e krusur e nuses nënkupton nënshtrimin ndaj zakoneve dhe adeteve të familjes së re, respektivisht familjes së burrit.
Shamia e kuqe, me të cilën mbulohej fytyra simbolizon përpjekjen e mbrojtjes së nuses nga Syri i keq për shkak të bukurisë së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e shamisë, identifikon, në radhë të parë, dëshirën që nusja të jetë me shëndet të mirë.
Ky emision përbëhet prej një pulle postare me vlerë nominale 1 si dhe Zarfit të Ditës së Parë, ndërkohë që do të jetë në dispozicion për koleksionuesit dhe konsumatorët që nga 18.06.2012.