Ristrukturimi i Deutsche Bank do të kushtojë 9000 vende pune
Berlin, 30 tetor - Nga prezantimi i parë publik i bashkëdrejtuesitt të Deutsche Bank, John Cryan, i cili është qysh nga pranvera në këtë post pritej shumë.
Humbja e mbi gjashtë miliardë Eurove në tremujorin e tretë ishte bërë publik tri javë më parë. Edhe rioerientimi i sektorëve të biznesit duke përfshirë edhe ekipin e ri drejtues nuk ishte më një risi.
Po ashtu u përhap edhe lajmi i keq për aksionerët se për dy vjet resht nuk do të ketë më dividend. Një risi kjo në historinë e re të Deutsche Bank, një gjë e tillë për herë të fundit ka ndodhur përpara më shumë se pesë dekadash.
Edhe lajme të tjera të këqia, si p.sh. shifrat konkrete për shkurtimin e personelit: Cryan do ta bëjë bankën \"më të thjeshtë dhe më efikase\", e kjo do të thotë edhe më të zhdërvjellët. Gati një e treta e personelit do të tkurret.
Nga rreth 100.000 punonjës që ka banka sot deri në vitin 2018 do të mbeten rreth 77.000 të punësuar. 9000 vende pune do të shkurtohen menjëherë në bankë, prej tyre vetëm në Gjermani 4000.
Këtyre shkurtimeve u shtohen edhe 6000 vende pune në sektorët e jashtëm të shërbimeve, që do të thotë 20 përqind e atyre, që deri më sot kanë punuar për bankën nga jashtë. Krahas kësaj me shkëputjen e planifikuar të Postbank do të hiqen nga borderoja e bankës në Frankfurt edhe 15.000 punonjës.
\"Kjo asnjëherë nuk është punë e thjeshtë dhe ne na dhemb zemra që na duhet të marrim masa të tilla\", tha Cryan duke siguruar, se ky \"proces do të realizohet në një mënyrë korrekte dhe në bashkëpunim me këshillat profesionale\".
Deutsche Bank do të thjeshtojë edhe biznesin në botën e jashtme. Nga dhjetë vende banka do të tërhiqet tërësisht si p.sh. nga Argjentina, Norvegjia dhe Zelanda e Re. E gjitha kjo do të kursejë rreth 3,8 miliardë Euro në vit, por në fakt i gjithë ristrukturimi kushton shumë para, sipas vlerësimit deri në 3,5 miliardë Euro.
Njëkohësisht banka një ditë më parë komunikoi edhe objektiva financiare mjaft ambicioze. I ashtuquajturi \"kapital i fortë bërthamë\" deri në vitin 2018 do të ulet në një kuotë prej 12,5 përqind, Mbikqyrja Europiane e Bankave në fakt kërkon një tkurrje vetëm me tetë përqind. Kjo do të thotë, që një pozicion riskant në librezat prej 100 eurosh duhet të mbulohet me tetë euro nga kapitali vetiak.
Por banka, që së fundi është kritikuar ashpër prej mbikqyrjes bankare, nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të ndryshojë, në rast të kundërt të gjitha planet e bëra publike sot nga Cryan nuk do të kishin kuptim.