Rishikimi i buxhetit me vonesë ka ngulfatur sektorin privat
Prishtinë, 25 nëntor - Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), organizoi takim me ministrin e Financave, Bedri Hamza dhe me përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë, të cilët i adresuan problemet e tyre tek ministri Hamza.
Në këtë takim u diskutua, rreth pakos së re fiskale, raportit të Bankës Botërore, rishikimit të buxhetit për vitin 2017 si dhe buxhetin për vitin 2018.
Me këtë rast, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, deklaroi se rishikimi i buxhetit me vonesë, paraqet pengesën me të cilën është ngulfatur sektori privat.
“Arsyeja që jemi këtu është që të kemi rishikimin e buxhetit që si Odë Ekonomike e kemi paraparë si një pengesë që ka ngulfat sektorin privat, sepse ekzekutues i punëve nga sektori publik ka qenë sektori privat dhe kjo vonesë krijon vështirësi”, deklaroi Gërxhaliu.
Sipas tij, draftbuxheti i vitit 2018-të, është punë e mirë e ekipit të ministrit Hamza.
“E kemi pas kalimin dhe miratimin e buxhetit për vitin 2018 që është një dëshmi dhe punë e mirë e ministrit dhe ekipit. Është me rëndësi është fakti se këto ditë jemi dëshmitar të shpalosjes së raportit të Bankës Botërore, dhe ajo që është më interesante është fakti që me marrjen e detyrës për të vazhduar dialogu rreth pakos fiskale me qëllim që të krijohen lehtësira për sektorin publik dhe privat, në veçanti për sektorin prodhues, sektor ky që për ne duhet të jetë substancë e qëndrueshmërisë ekonomike dhe tentativa ka qenë që kjo pako të jetë në funksion të fuqizimit të sektorit privat dhe të përmirësimit të indaktorit kyç për qëndrueshmëri ekonomike çfarë është indaktori i përmirësimit të bilancit të për kontrollin e pagesave”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai foli edhe për debalancin tregtar dhe deklaroi se nuk i bëhet nder Kosovës vazhdimi i avazit të vjetër të eksportimit të parasë të gatshme, por sipas tij, duhet të bëjmë diçka që ajo para qoftë e gjeneruar brenda qoftë nga diaspora të jetë në funksion të zhvillimit dhe multi-dimensionalitetit.
“Ministri ka bërë shumë që të eliminohen disa barriera burokratike që e godasin sektorin prodhues në Kosovë dhe mundësinë për të depërtuar në tregun e Shqipërisë”, tha Gërxhaliu.
Në anën tjetër ministri i Financave, Bedri Hamza i quajti procese të vështira rishikimin e buxhetit të vitit 2017 dhe planin për buxhetin e vitit 2018, duke premtuar kushte të mira për bizneset.
“Ne kemi pasur dy procese të vështira këtë vit. Në të njëjtën kohë është dashtë me krye procesin e rishikimit të buxhetit dhe është kryer procesi i rishikimit. Përveç rishikimit të buxhetit ne kemi punuar edhe për buxhetin e vitit të ardhshëm. Prioritet i kemi dhënë sektorit të rendit e të ligjit”, është shprehur Hamza.
Ai foli dhe për sistemin e drejtësisë në Kosovë, të cilit në draft buxhetin e vitit 2018-të, i është kushtuar rëndësi e veçantë.
“Me u përball me sektorin e drejtësisë është goxha problem dhe kemi reflektuar me rritjen e buxhetit dhe me numrin aktual të punësuarave ky sektor kanë hapësirë për punësimin edhe të 690 personave tjerë. Përveç sektorit të drejtësisë i kemi dhënë prioritet sektorit të arsimit. 26 për qind ka rritje sektori i arsimit në krahasim me vitin e kaluar. Besoj që shkollat tona duhet me reflektu në kontribimin e krijimit të kudrave të reja për tregun e punës”, është shprehur Hamza, duke shtuar se përveç këtyre prioritet tek sektori privat i është kushtuar rëndësi e veçantë.
“Te sektori privat kemi reflektuar me fondin për garantimin e kredive. Qëllimi është që ky fond të garantoj kreditë për gjeneratat e reja e për gratë në biznes. Ne jemi të vendosur që bashkë me juve të përmirësojmë kushtet e të bërit biznes. Nuk do të procedoj asnjë ligj në Qeveri e Kuvend pa e pasur kontributin e juaj. Ka me pas trajtim të barabartë për të gjithë, por ju me komente e juaja do të reflektoni dhe kontribuoni në punën tonë”, deklaroi ai.