Rindërtohen 47 shtëpi në kuadër të aksionit Ndihmo dhe ti
Prishtinë, 25 tetor - Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës kanë shpallur të enjten mbylljen e aksionit humanitar Ndihmo edhe ti, në kuadër të të cilit në veri të qytetit janë rindërtuar 47 shtëpi.
Ky aksion u vlerësua shumë i suksesshëm si nga komunarët ashtu edhe nga qytetarët e veriut.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, falënderoi të gjithë ata që kanë ndihmuar këtë aksion që ka rezultuar me rindërtimin e afër 50 shtëpive të reja në lagje të ndryshme të veriut.
Është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe që ka krijuar kushte për kthimin e shumë familjeve të zhvendosura nga shtëpitë e tyre.
Ai tha se përveç rindërtimit të shtëpive, në kuadër të këtij aksioni janë realizuar dhe në proces edhe shumë projekte të tjera që lidhen me përmirësimin e kushteve për qytetarët.
Ai përmendi furnizimin me materiale për rinovim të shtëpive, mandej bursat për studentë etj.
Kryetari Kastrati, sqaroi se tashmë është mbyllur xhirollogaria e këtij fondi, përderisa premtimet tjera nga donatorët që kanë të bëjnë me rinovime, furnizime me material etj do të vazhdojnë.
Prej 4 qershorit kur kemi filluar aksionin, prej 828 thirrjeve telefonike nëpërmjet të cilave, qytetarët kanë premtuar mbështetje për këtë aksion, janë realizuar 613 premtime.
Ai sqaroi se në kuadër të procesit të rindërtimit në veri është duke vazhduar puna edhe me grandet qeveritare dhe fondet komunale.
Prej fillimit të rindërtimit në veri deri me tani janë kryer dhe janë në proces rreth 200 shtëpi.
Shumë të lumtur me punën e bërë janë shprehur edhe përfaqësuesit e banorëve të veriut. Florent Azemi, tha se situata kohëve të fundit ka ndërruar rrënjësisht në veri si rezultat i angazhimit të komunës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ai tha se tash në veri është krijuar një klimë më e mirë. Banorët nuk janë duke i shitur shtëpitë sikur më parë, por janë shumë të interesuar të kthehen dhe jetojnë në pronat e veta.