Rindërtimi në veri nuk do të ndalet
Mitrovicë, 21 nëntor - Përkundër kërcënimeve dhe incidenteve që janë duke krijuar strukturat paralele serbe në veri, rindërtimi i shtëpive të djegura dhe të shkatërruara në luftë nuk do të ndërpritet.
Kështu tha të mërkurën, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, në një takim të jashtëzakonshëm të Komitetit të Sigurisë, të thirrur pas incidenteve të fundit në Kroin e Vitakut.
Kryetari Kastrati, theksoi se shtëpitë po rindërtohen për ata që kanë jetuar dhe kanë pronat në veri dhe jo për të tjerët. Shumë qytetarë të veriut jetojnë nëpër strehimore kolektive në jug, andaj ne kemi për obligim tu ndihmojmë që të kthehen në shtëpitë e tyre.
Ai tha se strukturat paralele serbe janë duke tentuar që me çdo kusht ta ndërprejnë këtë proces, duke mos kursyer mjetet. Të martën ka qenë një situatë e tensionuar, e cila ka mundur të eskaloj, pas sulmit të një grupi serbësh ndaj punëtorëve shqiptarë, me çrast ka mbetur i lënduar nga gurët përfaqësuesi i shqiptarëve të Kroit të Vitakut, Nazmi Ismajli.
Kryetari Kastrati, potencoi se tensionimit të situatës janë duke i kontribuuar persona që në emër të UNMIK-ut në veri kërkojnë leje për rindërtim të shtëpive. Kjo është absurditet, meqë askund në botë nuk kërkohet leje për rindërtim të shtëpisë së djegur.
Ndërsa, nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se të martën pas sulmit me gurë të një grupi serbësh ndaj punëtorëve shqiptarë, ka pasur edhe të shtëna armësh. Ka qenë një situatë tepër e rrezikshme. Sot puna ka rifilluar në veri, por situata mbetet e tensionuar, pasi që në orët e mëngjesit është dëgjuar një shpërthim në Kroin e Vitakut.
Ai kërkoi shtim të masave të sigurisë nga strukturat e sigurisë, meqë situata mund të eskaloj në çdo moment.
Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se ditëve të fundit incidentet në veri janë shpeshtuar tepër, andaj strukturat e sigurisë duhet të jenë shumë të vendosura që të parandalojnë problemet.
Avni Zabeli nga Policia e Kosovës, tha se janë të angazhuar që të ofrojnë siguri për të gjithë. Jemi të fokusuar në lagjet me popullatë të përzier.