Rindërtimi bëhet për pronarët që i kanë shtëpitë e shkatërruara
Mitrovicë, 10 korrik - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka reaguar pas pengesave të fundit që janë bërë nga strukturat paralele serbe sa i përket rindërtimit në thellësi të Kroit të Vitakut.
Ai i ka cilësuar si veprime kriminale, që bëhen me qëllim të spastrimit etnik në veri.
Kryetari Kastrati, sqaron se rindërtimi i shtëpive të djegura dhe të shkatërruara është një projekt humanitar dhe nuk është i orientuar kundër askujt.
Po bëhen 14 vjet që shumë familje vazhdojnë të jetojnë në strehimore kolektive në pamundësi për tu kthyer në shtëpitë e tyre.\"
\"Ne kemi obligim që tu ndihmojmë, ndërsa strukturat e sigurisë, në radhë të parë KFOR-i dhe EULEX-i, janë përgjegjës që të krijojnë kushte për shfrytëzim të pronës private.
Kastrati përgënjeshtron deklaratat dhe spekulimet e qarqeve të ndryshme në veri, të cilat janë duke propaganduar se gjoja në veri po ndërtohet me qëllim që të vendosen njerëz që nuk janë pronar të atyre pronave dhe shtëpive.
Kjo është një e pavërtetë e madhe. Është një pretekst për të penguar rindërtimin, meqë të gjitha strukturat e sigurisë, vendore dhe ndërkombëtare, i kanë listat e atyre që u janë rindërtuar dhe që do tu rindërtohen shtëpitë dhe që të gjithë janë ish-banorë të asaj lagjeje.
Ai zotohet për vazhdimin e rindërtimit derisa të krijohen kushte për kthimin e të gjithë të zhvendosurve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.