17 Nëntor 2024

Rikthehen në punë doganierët serb në veri të Kosovës

Prishtinë, 10 prill - Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës  së Kosovës, Lulzim Rafuna dhe Ambasadorin Norvegjez në Kosovë, Ian Braathu, ju drejtuan mediave në një Konferencë për shtyp që u mbajt sot, me ç’rast njoftuan lidhur me rikthimin në vendet e punës të ish- punonjësve nga pjesa veriore në Doganën e Kosovës.

Ministrja Tahiri me këtë rast theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson lartë procesin e rikthimit në vendet e punës të punonjësve serb të pjesës veriore të vendit në Doganën e Kosovës, proces ky që u realizua me sukses sot kur këta punonjës nënshkruan kontratat e punës me Doganën e Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës sërish dëshmoi përkushtimin për politika integruese për komunitetet dhe në veçanti të serbëve të asaj pjese ,që për arsye të njohura nuk ishin të gatshëm për këtë proces” potencoi ministrja Tahiri.

Ajo falënderoi Doganën Kosovës dhe Drejtorin Lulzim Rafuna për një qasje vizionare që bëri të mundur që oficerët doganorë serb nga pjesa veriore të rikthehen në vendet e punës, duke shtuar se kërkesa e këtyre punonjësve që të kthehen në punë ndonëse kishin dhënë dorëheqje në vitin 2008 për arsye të njohura, hasi në mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë të Doganës së Kosovës.

Ministrja Tahiri falënderoi Ambasadën Norvegjeze dhe Ambasadorin Ian Braathu për mbështetjen që dhanë në realizimin e projektit për dialogun mes Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve tanë në veri të vendit, i cili krijoi një rritje të besimit të ndërsjellë dhe rezultoi në këtë sukses të përbashkët. Me këtë rast ajo falënderoi edhe Qendrën për Trajnime dhe Studime Gjinore që ishte bartëse e këtij projekti si dhe Zyrën e BE-së në Kosovë për mbështetje të procesit të rikthimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës  së Kosovës Lulzim Rafuna i njoftoi mediat lidhur me procesin, kthimin e të gjithë punonjësve serb nga pjesa veriore e vendit të cilët për shkaqe të njohura kanë braktisur punën në vitin 2008.

Ai tha se Dogana e Kosovës ka mirëpritur kërkesën e këtyre oficerëve doganor që të rikthehen në vendet dhe procesi i rikthimit është bërë në bazë të Ligjeve të Kosovës. Sot janë nënshkruar 20 kontrata dhe 4 kontrata tjera priten të nënshkruhen në ditët në vijim, për arsye që 4 ish punonjës mungonin fizikisht sot e të cilët kanë kaluar të gjitha fazat e verifikimeve.

“Jam takuar me këtë punonjës sot pas nënshkrimit të kontratave dhe ju kam uruar mirëseardhje dhe punë të mbara” theksoi drejtori Rafuna.

Ambasadori Ian Braathu theksoi se ky proces rikthimi i punonjësve të Doganës tregon gatishmërinë dhe vullnetin e institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin edhe të serbëve të veriut, dhe u shpreh i lumtur që Ambasada e Norvegjisë i dha mbështetje projektit të dialogut mes institucioneve dhe qytetarëve të pjesës veriore të Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim këtë dialog dhe shpresojmë në ri-integrim edhe në sektorë tjerë. Dua të shpreh vlerësimet e larta për Ministren Tahiri e cila mori pjesë në këtë dialog gjatë gjithë vitit 2014 dhe ky sukses sot është një konfirmim i rëndësisë së vazhdimit të dialogut mes Qeverisë dhe qytetarëve” theksoi ambasadori Braathu.

 Ai gjithashtu falënderoi drejtorin e Doganës Rafuna si dhe  Qendrën për Trajnime dhe Studime Gjinore për këtë sukses. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)