19 Nëntor 2024

Rezultate të rëndësishëm në bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare

Prishtinë, 27 dhjetor - Ministri i Financave Besim Beqaj ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare.
 
Duke folur në Konferencën e Dytë të Ambasadoreve të Republikës së Kosovës të organizuar nga Ministria e Jashtme, ministri Beqaj ka thënë se gjatë viteve të fundit ekonomia  jonë ka arritur të ketë norma relativisht të mira të rritjes, duke pasur parasysh krizën e Eurozonës dhe recesionet në vendet në regjion.
 
“Për më tepër, gjatë kësaj periudhe janë bërë reforma të konsiderueshme që kanë sjellur stabilitet të përgjithshëm ekonomik dhe fiskal, dhe njëkohësisht, kanë rezultuar në përmirësime të theksuara për sa i përket ambientit të të bërit biznes. Kur kësaj i shtojmë se Qeveria gjatë viteve të kaluara ka bërë investime të mëdha në infrastrukturë, mund të themi se janë krijuar kushte të mira që në vitet në vijim, sektori privat të marr rolin udhëheqës në rritjen ekonomike”, ka thënë ministri Beqaj.
 
Duke ditur rëndësinë e burimeve të jashtme të financimit, ne gjatë viteve të kaluara jemi angazhuar shumë në promovimin e Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare dhe si rezultat kemi pasur suksese të konsiderueshme, ka thënë ministri i Financave dhe ka shtuar se në vitin 2009, Kosova u bë anëtare e dy institucioneve me karakter ndërkombëtar – Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
 
“Pos anëtarësimit në këto dy institucione, ne në vitin 2012 u bëmë formalisht anëtarë të një Institucioni tjetër me fuqi të konsiderueshme financimi, e që është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ky institucion tani më ka shfaqur interesimin e tyre për investime në shumë projektet me karakter publik dhe privat, dhe për njërin nga këto projektet, tani më veç kemi nënshkruar marrëveshjen”, tha ministri Beqaj.
 
Ai tha se janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Evropiane Investive, dhe këtë vit jemi anëtarësuar në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës. Ndërsa pas nënshkrimit të marrëveshjes për partneritet me Bankën Islamike për Zhvillim (BIZH) mbetet të punohet në anëtarësimin e plotë në këtë institucion financiar ndërkombëtar.
 
“Këtë vit ne kemi nënshkruar marrëveshje financiare bashkë me BIZH, Fondin e OPEC-ut për Zhvillim dhe Fondin Saudit për Zhvillim në vlerë prej 56 milion dollar për zgjerimin e rrugës M2 Prishtinë-Mitrovicë, e cila është pjesa kryesore e korridorit rajonal 6a. Tani, me këto anëtarësime, lirisht mund të them se mundësitë në qasje në financimet e jashtme janë rritur në masë të konsiderueshme si për sektorin privat ashtu edhe për sektorin publik dhe presim që në vitet në vijim, të përfitojmë nga këto mundësi”, tha i pari i Financave.
 
Njëkohësisht është bërë punë e mirë në drejtim të negocimit dhe nënshkrimit të Marrëveshjeve për Eliminim të Tatimit të Dyfishtë me shtetet tjera dhe deri tani janë nënshkruar Marrëveshje me Maqedoninë, Turqinë, Slloveninë, Hungarinë dhe Çekinë. Kanë përfunduar negociatat në nivelin teknik me Britaninë e Madhe dhe Arabinë Saudite dhe së shpejti pritet që të nënshkruhen. Po ashtu edhe me Shqipërinë Marrëveshjen në fuqi jemi duke e rinegociuar dhe është afër përfundimit. Në të njëjtën kohë kemi inicuar edhe fillimin e negociatave me Emiratet e Bashkuara Arabe, Bullgarinë dhe Kroacinë dhe presim që ato të fillojnë në muajt e parë të vitit të ardhshëm.
 
“Në të njëjtën kohë është duke u përgatitur edhe planin për fillimin e negocimit edhe me një numër të shteteve tjera gjatë vitit të ardhshëm”.
 
Ministria e Financave deri më tash ka nënshkruar edhe një numër të Marrëveshjeve të Bashkëpunimit Doganor me shtetet tjera, dhe po ashtu ky aktivitet do të vazhdoj edhe në të ardhmen, duke pasur parasysh se Marrëveshjet e tilla kanë ndikim të shumëfishtë në bashkëpunimin ekonomik të ndërsjellë përfshirë këtu edhe luftimin e informalitetit dhe evazionit fiskal, ka përfunduar ministri Beqaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)