Retkoceri: Bordi i ujësjellësit u vetëshpërblye me iPhone 6S
Prishtinë, 9 mars - Ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit në Ujësjellësin Rajonal Prishtina, Selatin Retkoceri në emisionin Interaktiv në KTV ka folur për shkarkimin e tij nga bordi i drejtorëve të kësaj kompanie.
Gjatë emisionit ai ka akuzuar këtë bord se janë vetshpërblyer me iPhonë 6S në vlerë të 900 eurove, ndërsa ka thënë se po i njëjti bord ka marrë mëditje për udhëtimin, të cilin e ka quajtur politik, në Tiranë, për ta takuar Erijon Veliajn.
Arsyetimi ka qenë kamuflazh politik, bordi u shpërblye me iPhone 6S dhe ata marrin shpërblim me nga një iphone që rren edhe Amir Gashi kur thotë se nuk kemi marrë. Kanë marrë telefon më 10 janar, i kanë marrë shtatë telefona. Në vlerë 900 euro, për kurrfarë arsye, ka thënë Retkoceri.
Shpërndarja e mbushjeve telefonike, 50 euro në muaj për me fol 24 orë. Këta zotërinjtë i marrin këto para, ka theksuar ai.
Duke folur për shkarkimin e tij, ai ka thënë se bordi e shkarkoi pa paralajmërim dhe pa prezencën e tyre.
Sot rreth orës 10 të mëngjesit bordi i drejtorëve është takuar në një takim të jashtëzakonshëm dhe pas një mbledhje maratonike, mbi pesë orë, dëgjojmë jozyrtarisht se kanë marrë vendim për shkarkimin e Vatajt dhe mua, ka sqaruar Retkoceri.
Pa prezencën tonë, pa rend dite, paparlajmërim. Ky është një sulm kundër të drejtave të punës. Bordi i drejtorëve i emëruar para tre muajsh vazhdon dhe po shkel rëndë ligjet.
Sot gjatë ditës u shkarkuan nga detyra e kryeshefit të kompanisë së ujësjellësit rajonal Prishtina, Gjelosh Vataj dhe kryefinancieri i kësaj kompanie Selatin Retkoceri, i cili një kohë, nga gushti deri në nëntor të vitit 2015, e kishte zëvendësuar Vatjan në postin e kryeshefit.
Bordi i ujësjellësit Prishtina e kishte shkarkuar Vatajn edhe në muajin gusht të vitit 2015, mirëpo ai në muajin nëntor të atij viti ishte rikthyer në postin e tij, kjo pas vendimit të bordit të ri të kompanisë. Ministria e Zhvillimit Ekonomik si mbikëqyrëse e punës në ujësjellës i kishte rekomanduar bordit në largim që të ndryshojë vendimin dhe Vatajn ta kthente në krye të detyrës, transmeton Koha.net.
Kurse, sot instituti GAP, INDEP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike e kanë akuzuar ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe zyrtarë të tjerë të ministrisë për ndërhyrje politike në caktimin e bordit të kësaj kompanie. Nëpërmes një letre publike këto organizata sqarojnë se pas shkarkimit të Gjelosh Vatajt nga pozita e kryeshefit të kësaj kompanie ka qenë presioni i ministrit Stavileci që ka kthyer atë në punë. Për më tepër, këto organizata thonë se shkresa, e cila e ka kthyer Vatajn në punë, ka qenë e falsifikuar.