Renovohen zyrat e vendit në Gjakovë
Gjakovë, 4 gusht - Në kuadër të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për qytetarët e Gjakovës, si dhe kushteve sa më të përshtatshme të punës, në Komunën e Gjakovës kanë nisur renovimet për tetë objektet të Zyrave të Vendit.
Me këtë nismë tashmë janë kryer punimet në dy zyra të vendit, atë të Demjanit dhe të Rogovës, ndërkohë që do të vazhdohet me renovimin e Zyrave të Vendit në Cërmjan, Brekoc, Mulliq, Rracaj, Novosellë dhe Skivjan.
Vlera e përgjithshme e renovimeve të këtyre objekteve është në shumën prej 9, 961,55 euro, ku nga kjo vlerë e investimit do të bëhet renovimi i dyerve, dritareve, lyerja e mureve, ndërrimi i dyshemeve, renovimi i tualeteve, hapësirave rrethuese, etj.
Këto renovime bëhen në kuadër të Drejtorisë së Administratës dhe Personelit në Komunën e Gjakovës ku është vlerësuar nevoja për ndërhyrje në këto objekte me qëllim të krijimit të hapësirave standarde për punë dhe për shërbime cilësore ndaj qytetarëve.
Me fillimin e ekzekutimit të kontratës, sipas planit dinamik të punës të prezantuar nga operatori ekonomik, punimet do të jenë të kryera në afat kohor prej tridhjetë ditëve.