Remont Service lirohet nga detyrimet ndaj AKP
Prishtinë, 25 nëntor - Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e rregullt dhe diskutoi për një varg çështjesh që lidhen me aktivitetet e Agjencisë, duke u fokusuar më shumë në procesin e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe punën e bërë nga Autoriteti i Likuidimit.
Në raport u paraqit progresi i arritur në shqyrtimin dhe lëshimin e vendimeve si dhe sfidat dhe faktet të cilat po bëhen pengesë në shpërndarjen e mjeteve tek kreditorët meritor dhe përfundimisht tek pronari.
Të arritura përmenden një numër prej 33.770 vendime të marra nga Agjencia dhe të dërguara tek palët, përkatësisht pretenduesit kreditorë për ndërmarrjet shoqërore (NSh) në Likuidim.
Për 138 ndërmarrje shoqërore në likuidim janë përgatitur raportet për shpërndarjen e fondeve tek kreditorët e ligjshëm, ndërkaq po punohet në përfundimin e raporteve edhe për 32 ndërmarrje të tjera në likuidim.
Agjencia i është drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës me propozimet për tejkalimin e pengesave të paraqitura dhe pritet mbështetja e nevojshme në mënyrë që mjetet e mbajtura në mirëbesim përfundimisht të fillojnë të shpërndahen tek kreditorët, ish-punëtorët dhe Buxheti i shtetit.
Gjatë kësaj mbledhje, Bordi u informua nga menaxhmenti për zhvillimet e fundit në lidhje me ndërmarrjen Trepça, e cila është nën administrimin e AKP-së dhe për procesin që po zhvillohet për riorganizimin e kësaj ndërmarrje në përputhje me Ligjin për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së Tyre.
Bordi miratoi edhe një numër të ofertave për shitjet përmes Likuidimit nr. 22 si dhe listat e punëtorëve përsa i përket 20% për NSH Kombinati Bujqësore Preluzhë, Mitrovicë dhe për NSH Partizani-Reparti i Biçikletave, Ferizaj.
Ndërmarrja e Re Remont Service, pas përmbushjes së suksesshme të kushtit për punësim, u lirua nga detyrimet raportuese ndaj Agjencisë.
Mbledhja e rradhës e Bordit të Drejtorëve të AKP-së do të mbahet në pjesën e dytë të muajit dhjetor.