13 Maj 2024

Remitancat në Kosovë arrijnë vlerën rreth 600 milionë euro në vit

Prishtinë, 1 tetor - Në debatin “Roli i Diasporës Kosovare në Zhvillimin Ekonomik të Kosovës” i organizuar nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës dhe Institutin për Hulumtime Zhvillimore Riinvest është bërë e ditur se një e treta e popullsisë së Kosovës jetojnë jashtë, kurse brenda vitit emigrantët dërgojnë të holla në vlerë rreth 600 milionë euro.

Sipas Riinvset-it, Kosova zë vendin e 15-të në listën e shteteve që marrin më së shumti remitenca dhe se këto dërgesa përbëjnë rreth 14 për qind të GDP-së në Kosovë.
 
Gjatë këtij diskutimi është prezantuar një punim i Riinvest-it, ku është thënë se 41 për qind e shqiptarëve kosovarë kanë anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit, rreth 60 për qind e emigrantëve jetojnë në Gjermani dhe Zvicër, rreth 58 për qind e tyre janë të punësuar ndërsa 70 për qind e emigrantëve dërgojnë mjete financiare te familjet e tyre në Kosovë.

Diellza Gashi nga Instituti Rinvest, tha se dërgesat nga jashtë përdoren kryesisht për konsum dhe thuajse aspak për investime.

“Gjysma e remitencave në para të gatshme janë përdorur për konsum, 18 për qind janë përdorur për ndërtimin e shtëpive dhe riparime, 17 për qind për qëllime shëndetësore, 15 për qind për arsim dhe vetëm një pjesë modeste prej 3 për qind përdoren për investime. Do të thotë është një shumë, shumë e vogël, që janë përdorur për investime, kryesisht përdoren për konsum”, theksoi Gashi.

Në punim thuhet se remitencat përbëjnë rreth 14 për qind të GDP-së. Si arsye kryesore pse emigrantët nuk planifikojnë të investojnë në vend, janë mungesa e informacioneve nga ana e institucioneve rreth mundësive të investimit, korrupsioni si dhe politikat e pafavorshme fiskale.

Ndërsa ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli ka pohuar se efektet e mërgimtarëve nuk janë vetëm sjellja e kapitalin në Kosovë, por sipas tij, janë edhe përvojës dhe standardeve nga vendet ku jetojnë dhe se investitorët e huaj të kenë njësi matëse investimet e mërgimtarëve.

“Sipas disa përllogaritjeve, edhe pse nuk dua të keqinterpretohem, sepse nuk kemi statistika apo të dhëna zyrtare, por përafërsisht llogaritet se një e treta e popullit vazhdon të jetojë jashtë vendit. Ky numër përfshin kryesisht pjesën e re të të larguarve nga Kosova nga vitet e 60-ta e këndej."

"Shqyrtimi i raporteve dhe i analizave të ndryshme ndihmon që të gjenden modalitete për ta ndërtuar infrastrukturën më të përshtatshme ligjore për realizimin e objektivave në raport me diasporën”, tha ministri Makolli.

Ai, gjithashtu, informoi se tashmë ka filluar edhe krijimi i zyrave të veçanta në komunat e Kosovës, të cilat do të vihen në shërbim të mërgimtarëve. Njëkohësisht, ministri i MeD-së, Ibrahim Makolli, të pranishmit i informoi edhe për krijimin e një baze të të dhënave jo vetëm të bizneseve, por të të gjitha profileve të mërgatës, që do ta pasqyronte edhe potencialin e saj profesional.

Ndërkaq,- siç u shpreh ai,- tashmë janë duke u shqyrtuar edhe modalitetet ligjore, në mënyrë që të mos ketë probleme në rekrutimin e nëpunësve civilë nga diaspora.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu ka pohuar se me emigrantët tanë duhet orientuar më shumë drejt investimeve.

“Vetëm 3 për qind e parasë së dërguar nga diaspora është drejtpërdrejt e investuar në zhvillim, 30.5 për qind e të anketuarve nuk ia mësyjnë Kosovës mu për hir të mungesës së informacionit, i kemi 26 për qind të cilët janë të zhgënjyer, dhe burokracinë, korrupsionin dhe dukuritë e tjera negative i marrin si shkas për të mos qenë në Kosovë”, tha Gërxhaliu.

Punimi njoftues është përpiluar me qëllim që të nxis debat në mes të institucioneve qeveritare dhe shoqërisë publike lidhur me rolin e diasporës dhe ndikimin në ekonomin e vendit tonë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)