Remitancat ndikojnë në uljen e varfërisë në Kosovë
Prishtinë, 6 mars - Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka prezantuar një raport politikash të titulluar Një Analizë Hipotetike mbi Ndikimin e Remitancave në Varfëri në Kosovë: Një Përspektivë Empirike.
Si i tillë, ky raport analizon ndikimin e remitancave dhe migrimit në varfërinë një rast hipotetik pa remitanca dhe migrim në Kosovë.
Raporti ndër të tjera ofron një sërë rekomandime politikash që do të siguronin qëndrueshmëri afatgjate të këtij efekti dhe kanalizim të remitancave dhe potencialit investues të diasporës në shërbim të zhvillimit ekonomik.
Ministri për Diasporë, Murati, theksoi se remitancat kanë një rol thelbësorë në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës dhe se është shumë e rëndësishmë që këto remitanca të fillohet të shfrytëzohen edhe si burim për zhvillim ekonomik të vendit.
Më tutje, ai shtoi se Ministria e Diasporës por edhe Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera përkatëse duhet të punojnë në mënyrë pro-aktive në krijimin e kushteve sa më të favorshme për investime direkte nga Dispora, në mënyrë që atyre të ju krijohet një klimë sa më e përshtatshme për të verpuar.
Ndërkaq, Topalli, anëtar i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje tha se Diaspora ka luajtur nje rol të rëndësishëm qysh prej viteve të 90-ta dhe me herët duke shërbyer si një burim i pashterrshëm i të ardhuravë në Kosovë si dhe në zbutjen e varfërisë, si të tilla.
Ai për me tepër tha se është thelbësore që institucionet e Kosovës të sigurojnë mekanizma të nevojshëm për tërheqjen e këtyre investimeve, siç janë sundimi i ligjit, luftimi i korrupcionit, sistem i qëndrueshëm tatimor, administratë efikase si dhe aspekte të tjera të kesaj rëndësie.
Në panel ishte prezent edhe Drejtori i Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar të Bankes Qendrore të Kosovës, Mustafa, i cili theksoi se pjesa më e madhe e atyre pak investimeve te huaja në Kosovë përbëhet pikërisht nga Diaspora.
Ai shtoi se remitancat qe vijnë në Kosovë janë mjaft të qëndrueshme historikisht dhe paraqesin një aspekt të rëndësishëm në uljen e varfërisë në Kosovë.
Por, sipas Mustafa, orientimi i remitacave drejt investimeve ka qenë shumë i vakët dhe se institucionet e Kosovës dhe shoqëria si e tillë duhet të fillojë të punoj intensivisht në rritjen e potencialit për investime.
Leka, në cilësinë e Kryesuesit të Divizionit të Punës dhe Punësimit pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se rritja e investimeve nga Diaspora do të ndikonte në mënyrë direkte në nxitjen e punësimit të Kosove dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
Kosova tradicionalisht ka pasur diasporë të madhe dhe ekonomia kosovare vazhdimisht është njohur për varësinë e lartë nga dërgesat e emigrantëve.
Diaspora kosovare ka rëndësi kyqe ne stimulimin e zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe zvogëlimin e cekuilibrit makroekonomik. Remitancat kanë qenë një mekanizëm efektiv për zbutjen e varfërisë në Kosovë.
Varësia e Kosovës në remitanca vazhdon të jetë e madhe pasi që 22.4 e familjeve kanë pranuar remitanca në vitin 2012. Remitancat konsiderohet se paraqesin burimin e dytë më të madh të të ardhurave për ato familje që pranojnë remitanca.
Familjet që pranojnë remitanca kryesisht i shpenzojnë ato për konsum elementar. Poashtu kjo varësi forcon supozimin shifrat e varfërisë do të ishin shumë më të larta pa përkrahjen financiare që ofrojnë remitancat.
Studimi i Grupit për Studime Juridike dhe Politike vlerëson ndikimin e remitancave dhe migrimit në varfëri në një rast hipotetik pa remitanca në Kosovë, duke përdor të dhëna nga Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare e vitit 2011.
Të dhënat kualitative tregojnë se ekonomitë familjare pranuese të remitancave varen relativisht shumë nga to (pjesëmarrja e remitancave në të hyrat e tyre në shumë raste është mbi 60%) që forcon supozimin se remitancat e zvogëlojnë mjaft rrezikun e varfërisë tek këto familje.
Vlerësimi hipotetik realizohet përmes vlerësimeve kuantitative (ekonometrike) të cilat mundësojnë parashikimin e konsumit të këtyre familjeve në rast se nuk do të pranonin remitanca. Ky vlerësim bën të mundur krahasimin e normave të vëzhguara dhe të parashikuara të varfërisë në Kosovë dhe nëpër rajone.
Në përgjithësi rezultatet mbi ndikimin e remitancave në kosumin e familjeve konfirmojnë hipotezën se remitancat e rrisin konsumin tek ekonomitë familjare pranuese.
Në skenarin pa remitanca, vlerësimet tregojnë se, nëse familjet pranuese në Kosovë nuk do të pranonin remitanca, norma e varfërisë do të ishte dukshëm më e lartë për këtë grup.
Norma e varfërisë do të kishte ndryshuar nga 26 përqindëshi i vëzhguar në rreth 52 përqind, që paraqet një rritje prej 100 përqind. Në përgjithësi, normat e varfërisë krahasuar me skenarin e vëzhguar do të ishin më të larta si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale, sidomos në këtë të fundit.
Për më tepër, dallimi mes këtyre dy zonave do të rritej. Më konkretisht, normat e varfërisë në zonat rurale do të ishin 27 pikë përqindje më të larta, që paraqet një rritje prej 105 përqind në normat e varfërisë së popullsisë duke nënvizuar edhe varësinë e madhe që kanë ekonomitë familjare të këtyre zonave në remitanca.
Rezultatet e varfërisë në të gjitha rajonet tregojnë se nivelet e varfërisë do të ishin dukshëm më të larta në shumicën prej tyre, nëse familjet nuk do të pranonin remitanca.
Hendeku i varfërisë është rritja në përqindje e konsumit e nevojshme për familjet për të dalë nga varfëria.
Për familjet pranuese, hendeku i varfërisë do të rritej si në zonat rurale ashtu dhe urbane megjithatë rritja do të ishte më e theksuar në zonat rurale, më saktësisht në mungesë të remitancave norma do të ishte 41.7 për qind më e lartë.
Ndërsa sa i përket rajoneve, Mitrovica do të kishte rritjen më të madhe të hendekut të varferisë, në skenarin pa remitanca.