Remitancat mbajnë gjallë Kosovën
Prishtinë, 12 korrik - Remitancat, edhe pesë vjet pas pavarësisë, ende mbajnë gjallë një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës. Ato për shumë familje kosovare mbeten burimi i vetëm i financimit.
Qytetarja nga Prishtina, Arta Qyqalla, e cila qe disa vite është duke jetuar e punuar në Nju Jork të SHBA-ve, ka deklaruar se, pavarësisht krizës që ka mbretëruar në vendin ku ajo punon, ende nuk i ka zvogëluar dërgesat për familjen.
Nuk i kam ndal mjetet që ia dërgoj familjes. Është mirë kur ke mundësi ta ndihmosh familjen. Është mirë të vazhdojë përkrahja për secilin që ka nevojë, ka thënë ajo, e cila njihet edhe si humanitare e madhe meqë kujdeset financiarisht edhe për disa familje në nevojë.
Qyqalla, e cila ka studiuar për Ekonomi, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera të Kosovës duhet ta bëjnë një politikë të mirë për remitancat pasi, sipas saj, një strategji për paratë e mërgimtarëve do të sillte më shumë zhvillim dhe prosperitet për shoqërinë.
Të gjitha hulumtimet që janë bërë për remitanca kanë dalë se ato shfrytëzohen më shumë për konsum, udhëtime e veshmbathje. Kjo mënyrë krijon mundësi vetëm ad hoc për zhvillim, ka thënë ajo.
Edhe Elmi Krasniqi, i cili gati qe dy dekada jeton dhe vepron në Gjermani, ka deklaruar se ai kujdeset për financat e familjes, sepse asnjë familjar i tij në Kosovë nuk është i punësuar.
Unë kisha dashur që familja ime këtu të ketë burime të të ardhurave, por këtu nuk kanë punë dhe unë e ndjej obligim moral ti mbështes ata, ka thënë ai.
Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) është thënë se remitancat në tremujorin e parë të vitit 2013 kanë shënuar vlerën prej 127 milionë eurosh, apo 7 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit 2012.
Edhe Shqipëria dhe Maqedonia janë vendet në të cilat dërgesat e emigrantëve luajnë rol vendimtar në ekonominë e vendit.
Banka Popullore e Maqedonisë ka bërë me dije se në periudhën janar-korrik të vitit 2012 remitancat kishin kapur vlerën prej 897,4 milionë eurosh.