17 Nëntor 2024

Remitancat kanë shënuar rritje prej 6.9 për qind

Prishtinë, 25 dhjetor - Dërgesat e emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2014,kanë vazhduar të jenë një financues i rëndësishëm i konsumit dhe investimeve në Kosovë.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, remitencat, si njër ndër komponentët kryesore të llogarisë rrjedhëse kanë shënuar rritje prej 6.9 për qind në gjysmën e parë të vitit 2014 dhe arritën vlerën prej 291.3 milionë euro.

Analizat e bërë nga Banka Qendrorë e Kosovës kishin vënë në pah se ky trend i remitencave, do të vazhdojë edhe në pesë vjetët e ardhshëm.

Ndërkohë që edhe në projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2015 është theksuar se pritjet janë që edhe në vitet në vijim, niveli i këtyre dërgesave të jetë stabil dhe të përcjellë trendët e rritjes së deritanishme.

Të dhënat kanë treguar se 43 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit, derisa 22.4 për qind prej tyre pranojnë remitenca prej familjarëve.

Ish ministri i Ekonomisë dhe Financave Haki Shatri ka thënë për Radion Evropa e Lirë se remitencat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

“Këto të ardhura e sigurojnë një përqindje të madhe të të hyrave financiare të popullsisë në Kosovë dhe e plotësojnë një boshllëk që i nevojitet vendit për të paguar importin e mallrave dhe shërbimeve, të cilin e kemi shumë më të madh se sa eksportin. Këto remitenca kanë ndikuar në rritjen e standarditjetësor të së paku 30 për qind të familjeve në Kosovë dhe në këtë mënyrë e zvogëlojnë numrin e familjeve me asistencë sociale”, thekson Shatri.

Shuma e dërgesave të emigrantëve kosovarë vlerësohet të jetë më e lartë sesa të dhënat zyrtare, pasi që shumë familje të cilat jetojnë jashtë vendit dërgojnë para edhe përmes familjarëve të tyre, apo i japin personalisht, jo përmes institucioneve financiare.

Sikur të mos ishin këto mjete të emigrantëve kosovarë, që në vit kapin shifrën e mbi 500 milionë euro, sipas ekspertit të ekonomisë Haki Shatri, përqindja e varfërisë në Kosovë do të ishte shumë më e madhe.

Megjithatë, një çështje tjetër që sipas Shatrit, duhet të shqyrtohet nga institucionet e Kosovës është që këto dërgesa të emigrantëve të orientohen në investime dhe zhvillim.

“Po të kishte një vendosmëri dhe përkushtim për të krijuar një ambient për biznes më të mirë edhe remitencat në aspektin e një investimi në nivelin e një biznesi të vogël apo ekonomive familjare do të mund të ishin një faktorë i rëndësishëm i zhvillimit, sidomos në rritjen e punësimit apo vetëpunësimit”, thekson ai.

Për t’i orientuar këto mjete në investime, ekspertët e ekonomisë kishin thënë për Radion Evropa e Lirë se duhet të krijohen parakushte.

Eksperti i ekonomisë Ibrahim Rexhepi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë kishte theksuar se deri më tani këto investime nuk janë trajtuar si investime të huaja.

Dhe për këtë arsye, siç thekson Rexhepi, ato kanë shkuar vetëm në financimin e nevojave elementare të familjeve dhe jo në investime të ndryshme, prej të cilave do të ishte përfitimi më i gjerë.

“Mënyra e shpenzimit të remitencave ndoshta është dashur të kanalizohet pak më ndryshe , jo aq shumë prej vullnetit të dërguesit apo pranuesit, por duhet të ketë ligje apo forma tjera të cilat japin një përparësi të investimit të parasë nga diaspora”, tha Rexhepi.

Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë mbi 700 mijë qytetarë të Kosovës, të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës. (REL)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)