Rekordi i Kinës në kredidhënie ia kalon edhe Bankës Botërore
Pekin, 19 janar - Kina, vend ky që la pas Japoninë dhe u rendit si ekonomia e dytë më e madhe në botë, me anë të kredive që u ka dhënë vendeve në zhvillim, ia ka kaluar edhe Bankës Botërore.
Sipas një lajmi të gazetës britanike "Financial Times", Kina po vrapon drejt rekordeve jo vetëm në eksport dhe shpejtësinë e rritjes ekonomike, por edhe në kredidhënie.
Bazuar në këtë artikull, shifra totale e kredive, që Kina u ka garantuar vendeve në zhvillim dhe kompanive të këtyre vendeve gjatë viteve 2009 dhe 2010, është 110 miliardë dollarë.
Ndërsa shuma totale e kredive, që ka hapur Banka Botërore në të njëjtin hark kohor, është rreth 100 miliardë dollarë.
Republika Popullore e Kinës, një shtet me mbi 2 trilionë dollarë rezerva në valutë, mundëson kredi në hapësira të ndryshme gjeografike, prej Argjentinës në Ganë, madje këtë gjë e bën në fusha të ndryshme, që nga sektori infrastrukturor e deri tek ai energjetik.