18 Nëntor 2024

Regjistrohen mbi gjashtë mijë biznese të reja

Prishtinë, 9 shtator - Mbi gjashtë mijë biznese të reja janë regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) gjatë periudhës janar-shtator 2014. Në mesin e tyre janë 6 698 biznese vendore si dhe 46 kompani të huaja.

Po gjatë kësaj periudhe kohore janë shuar 1 115 biznese vendore dhe 14 kompani të huaja.

Zyrtari për Informim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Lulzim Demolli, ka deklaruar se gjatë periudhës janar-shtator në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) janë regjistruar 6 698 biznese vendore si dhe 46 kompani të huaja. “Prej 01. 01. 2014 deri më 04. 09. 2014 janë regjistruar 6 698 biznese dhe 46 kompani të huaja”, ka thënë Demolli për gazetën “Epoka e re”.

Mirëpo sa i përket shuarjes së bizneseve, ai ka deklaruar se për të njëjtën periudhë kohore janë shuar 1 115 biznese vendore dhe 14 kompani të huaja. “Prej 01. 01. 2014 deri më 04. 09. 2014 janë shuar 1 115 biznese dhe 14 kompani të huaja”, ka bërë me dije ai.

Alban Zogaj nga Instituti “RIINVEST” ka thënë se regjistrimi i bizneseve është sinjal i zhvillimit të ekonomisë së Kosovës mirëpo, sipas tij, do të ishte mirë sa më shumë të ketë biznese të huaja. “Regjistrimi i bizneseve të reja është sinjal i zhvillimit të ekonomisë së Kosovës. Normalisht, për ekonominë e Kosovës do të ishte mirë që sa më shumë nga këto biznese të reja të jenë të huaja, sepse ato sjellin kapital të huaj të ri që e rrisin ekonominë tonë”, ka deklaruar ai.

Zogaj ka shtuar se si pasojë e ambientit të pafavorshëm biznesor kohët e fundit nuk ka pasur interesim të madh të investitorëve të huaj. “Për fat të keq, kohët e fundit nuk kemi pasur interesim të madh të investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë, kryesisht për shkak të ambientit të pafavorshëm biznesor\", është shprehur Zogaj.
 
Ndërkaq, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se numri i bizneseve të regjistruara është i përafërt me numrin e bizneseve të viteve të kaluara por, sipas tij, numri i shuarjes së bizneseve është më i madh dhe kjo është shqetësuese.

Sipas Shahinit, klima e pafavorshme biznesore është duke e vështirësuar të bërit biznes në Kosovë. “Numri i lartpërmendur tregon se sa biznese janë të çregjistruara zyrtarisht. Ne konsiderojmë se janë dyfish më shumë biznese të shuara sesa numrat që janë prezantuar zyrtarisht”, ka deklaruar ai. Sipas Shahinit, mosdeklarimi i shuarjes së bizneseve bëhet për shkak të procedurave të ngarkuara.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Strategjike dhe Sociale (STRAS), Ibrahim Rexhepi, ka deklaruar se, pavarësisht të gjitha problemeve, numri i bizneseve të regjistruara gjatë periudhës janar-shtator 20014-t është shifër inkurajuese, e cila tregon se njerëzit kanë guxim, ambicie dhe vullnet për të bërë biznese të reja.

Ndërkaq, sa i përket shuarjes së bizneseve, ai ka theksuar se, nëse e krahasojmë numrin e bizneseve të regjistruara me numrin e atyre të shuara, nuk është një situatë për brengosje. Sipas tij, shuarja e bizneseve është rezultat i përkeqësimit të situatës apo pamundësisë së tyre që ta përballojnë ambientin e biznesit. “Vetë fakti se janë 5 000 biznese më shumë të regjistruara tregon se procesi është duke ecur mirë dhe njerëzit kanë një optimizëm për zhvillimin e bizneseve”, ka thënë Rexhepi.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)