Regjistrohen 2487 ndërmarrje të reja
Prishtinë, 5 gusht - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë TM2 2015, mbi bizneset e reja të regjistruara në Agjencionin për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015 (TM2 2015) janë regjistruar gjithsej 2 487 ndërmarrje, derisa në tremujorin paraprak (TM1 2015) kanë qenë 2 582 sosh, që vërehet një rënie krahasuar me tremujorin paraprak për 95 ndërmarrje, ose shprehur në përqindje kemi për 3.7% më pak ndërmarrje të reja në këtë tremujor.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, TM2 2014, vërehet një rritje prej 3.7% e bizneseve të reja.
Aktivitetet ekonomike më të preferuara, edhe gjatë këtij tremujori ishin:, tregtia me 751 ndërmarrje të reja (30.2%); akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 263 ndërmarrje të reja (10.6%); prodhim me 261 ndërmarrje të reja (10.5%); bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 212 ndërmarrje të reja (8.5%); ndërtimtaria me 193 ndërmarrje të reja (7.8%); transporti dhe ruajtja me 142 ndërmarrje të reja (5.7%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 139 ndërmarrje të reja (5.6%); aktivitete të shërbimeve të tjera me 126 ndërmarrje të reja (5.1%); ndërsa, aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.
Kategoria e numrit të të punësuarve nga 1- 4 (të punësuar) përbën rreth 2 414 ndërmarrje ose 97.1% të ndërmarrjeve të reja; kategoria me 5-9 të punësuar me 52 (2.1%); 10 - 19 të punësuar me 13 (0.5%); 20 - 49 të punësuar me 6 ndërmarrje (0.2%). Te kategoria me 50-249 të punësuar janë vetëm 2 ndërmarrje, ndërsa në kategorinë tjetër (250+) të punësuar nuk është asnjë ndërmarrje e regjistruar në këtë tremujor.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të reja në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron Prishtina me 544 ndërmarrje të reja (shprehur në përqindje 21.9%), Prizreni me 166 (6.7%), Gjilani me 159 (6.4%), Ferizaj me 147 (5.9%), Gjakova me 131 (5.3%), Peja me 125 (5.0%), Mitrovica me 116 (4.7%), ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë këtij tremujori.