Regjistrohen 2480 ndërmarrje të reja
Prishtinë, 1 shkurt - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë TM4 2015, mbi bizneset e reja të regjistruara në Agjencionin për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015 (TM4 2015) janë regjistruar gjithsej 2480 ndërmarrje, që vërehet rritje për 14% e ndërmarrjeve të reja, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2014).
Po ashtu, ka një rritje për 8.6% të ndërmarrjeve të reja, nëse e krahasojmë me tremujorin paraprak të këtij viti (TM3 2015).
Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin në: tregti me 746 ndërmarrje të reja (30.1%); prodhim me 271 ndërmarrje të reja (10.9%); bujqësi, pylltari dhe peshkatari me 270 ndërmarrje të reja (10.9%); aktivitete të shërbimeve tjera me 189 ndërmarrje të reja (8.3%); akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 246 ndërmarrje të reja (9.9%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 175 ndërmarrje të reja (7.1%); ndërtimtaria me 163 ndërmarrje të reja (6.6%); transport dhe ruajtje me 131 ndërmarrje të reja (5.3%); ndërsa, aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.
Kategoria e numrit të të punësuarve nga 1-4 (të punësuar) përbën rreth 2 393 ndërmarrje ose 96.5% të ndërmarrjeve të reja; kategoria me 5-9 të punësuar me 68 ndërmarrje (2.7%); kategoria me 10-19 të punësuar me 12 ndërmarrje (0.5%); kategoria me 20-249 të punësuar me 7 ndërmarrje (0.3%); ndërsa, në kategorinë tjetër (250+) nuk është asnjë ndërmarrje e regjistruar në këtë tremujor.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të reja, në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron Prishtina me 593 ndërmarrje të reja (shprehur në përqindje 23.9%); Peja me 184 ndërmarrje të reja (7.4%); Prizreni me 177 ndërmarrje të reja (7.1%); Ferizaj me 160 ndërmarrje të reja (6.5%); Gjakova me 131 ndërmarrje të reja (5.3%); Gjilani me 119 ndërmarrje të reja (4.8%); Mitrovica me 111 ndërmarrje të reja (4.5%); ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë këtij tremujori.