Regjistrohen 2011 ndërmarrje të reja
Prishtinë, 10 nëntor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka njoftuar se gjatë tremujorit të tretë të vitit 2013 (TM3 - 2013) gjithsej janë regjistruar 2011 ndërmarrje, ndërsa në tremujorin paraprak (TM2 - 2013) kanë qenë 2504 sosh, që vërehet një rënie në mes tremujorëve të njëjtit vit për 493 ndërmarrje, e që shprehur në përqindje kemi për 19.7% më pakë ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujorë.
ASK-ja, ka bërë të ditur se po ashtu rënie prej 2% e bizneseve të reja vërehet krahasuar edhe me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM3 - 2012).
Aktivitetet ekonomike më të preferuara edhe gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 594 ndërmarrje (29.5%), hotelet dhe restorantet me 239 (11.9%), aktivitetet tjera shoqërore dhe personale 232 (11.5%), ndërtimtaria me 201 (10%)", ka njoftuar ASK-ja.
Po ashtu pasuritë e patundshme dhe dhënia me qira me 178 (8.9%), industria përpunuese 173 (8.6%), transporti, depot dhe telekomunikacioni me 166 ndërmarrje (8.3%), bujqësia, gjuetia dhe pylltaria 130 (6.5%), ndërsa aktivitetet tjera marrin pjesë në shkallë shumë të vogël", ka njoftuar ASK-ja.
Kurse kategoria e numrit të punësuarve nga 1-4 (të punësuar) përbën rreth 1948 ndërmarrje apo 96.9% të ndërmarrjeve të reja, kategoria me 5-9 me 52 (2.6%), kategoria me 10-19 me 9 (0.4%), kategoria me 20-49 me 2 ndërmarrje (0.1%), ndërsa në kategoritë tjera nuk është asnjë ndërmarrje të regjistruar në këtë tremujorë, thuhet në Repertorin statistikor mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë të ASK-së.
Sa i përket shtrirjes së ndërmarrjeve të reja nëpër komuna edhe në këtë tremujorë mbizotëron Prishtina me 510 sosh (shprehurnë përqindje 25.4%), Prizreni me 159 (7.9%), Ferizaj me 139 (6.9%), Gjilani me 137 (6.8%), Mitrovica me 103 (5.1%), Peja me 87 (4.3%), ndërsa komunat tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të reja gjatë këtij tremujori.