Regjistrimi i popullsisë ndër projektet më të rëndësishme të qeverisë për 2023
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës Besnik Bislimi, tha se Qeveria do të përkrahë procesin e regjistrimit të popullsisë me mbi 12 milionë euro.
“Të dhënat statistikore në përgjithësi, dhe të dhënat e Regjistrimit të popullsisë në veçanti krijojnë mostrën për të gjitha hulumtimet shkencore dhe bazën e tërë sistemit statistikor kombëtar. Prandaj, me qëllim të përmbushjes së kërkesave dhe standardeve kombëtare e ndërkombëtare, Sistemi Statistikor i Kosovës do të vazhdojë të zhvillohet, duke rritur produktivitetin dhe cilësinë e statistikave zyrtare në vend”.
Tutje, zëvendëskryeministri theksoi rolin e rëndësishëm të regjistrimit në gjenerimin e indikatorëve kyq për matjen e progresit ekonomik dhe social të vendit.
Respektimi i të gjitha rregulloreve dhe standardeve ndërkombëtare, e me theks të veçantë të Kodit Evropian të Praktikes Statistikore, do i kontribuojë përmbushjes së reformave të vendit dhe rrugës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Institucionet qeveritare do të angazhohen maksimalisht për një proces të regjistrimit demokratik dhe gjithëpërfshirës, ku do të trajtohen nevojat e të gjitha grupeve të popullsisë në Kosovë.
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilja Redžepi në fjalën e saj në Javën e Regjistrimit tha që Qeveria do të angazhohet maksimalisht për ndryshimin e perceptimit në opinionin publik se regjistrimi është çështje politike.
Ajo i bëri thirrje të gjitha grupeve etnike dhe fetare në vend, të marrin pjesë aktivisht në procesin e regjistrimit, pasi tha që ky proces u shërben në thelb nevojave dhe kërkesave të të gjithë qytetarëve.
Gjithashtu, shprehu premtimin se do të ketë angazhim maksimal për gjithëpërfshirës sociale dhe informim të drejtë për procesin tek të gjitha grupet etnike në vend.
Përvojat dhe praktikat më të mira shtetërore të Republikës së Kroacisë në regjistrim, i solli përmes lidhjes së saj direkte me konferencën Drejtorja e Entit Shtetëror të Statistikave, Lidija Brkovic.
Institucionet shprehen gatishmërinë për përkrahjen e diasporën në procesin e regjistrimit, duke thënë që diaspora e vendit është pjesë unifikuese e progresit ekonomik dhe social të Kosovës.
“Diaspora është një prej elementeve kyqe në rrugëtimit tonë, nga diaspora në pesë vitet e fundit kemi të hyra në më shumë se 6 miliardë euro. Kemi mungesë të informacionit bazik mbi investimin e diasporës në sektorë të ndryshëm në vend, dhe të numrit të saktë të qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit” tha zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.
Të dhënat nga Organizata Ndërkombëtare e Migrimit vlerësojnë se 800 mijë është shifra e fundit e nxjerrë nga viti 2000, për numrin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Me të dhënat e regjistrimit të popullsisë në vitin 2023, këto të dhëna do të përditësohen dhe do të dihet numri i saktë i qytetarëve që jetojnë në diasporë.
Vedat Sagonjeva, drejtor në Zyrën për Planifikim Strategjik, ZKM, foli mbi rëndësinë e të dhënave statistikore të regjistrimin në planifikim të politikave dhe matje të progresit të qeverisë.
Zv.Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së Ilir Berisha, në ditën e tretë të Javës së Regjistrimit foli mbi bashkëpunimin institucional si bazë e përmirësimit të sistemit statistikor kombëtar.
Menaxheri i Regjistrimit të Popullsisë, Avni Kastrati, foli para të pranishmëve për metodologjinë e qasjet implementuese, aktivitet e informimit publik, sfidat dhe mundësitë për regjistrimin 2023.
Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi theksoi rëndësinë e të dhënave të regjistrimit për planifikim të politikave publike dhe alokim buxhetor për komunat.
Asociacioni do të jetë pjesë e Komisionit Qendror të Regjistrimit, dhe bashkëpunimi institucional do të sjellë rezultate dhe do të mundësojnë një regjistrim cilësor. Komunat në kuadër të Komisioneve Komunale të Regjistrimit të Popullsisë, do të kenë rol të rëndësishëm në aktivitet operacionale të regjistrimit.
Java e Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë, do të përmbyll punimet me aktivitet e ditës së katërt me 11 nëntor 2022. Ky organizim është mbështetur nga Fondit për Popullsi i Kombeve të Bashkuara, UNFPA zyra në Kosovë.