Regjistrimi i popullsisë, dyshohet në abuzimin e 5 milionë eurove
Prishtinë, 5 korrik - Edhe pas një viti Qeveria e Kosovës - Enti i Statistikave të Kosovës (ESK) ende nuk i kanë publikuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë.
Melihate Tërmkolli, anëtare e Kryesisë së AAK-së dhe Kryesuese e Grupit të Ekspertëve të AAK-së në një konferencë për media ka thënë së ESK ka qenë i obliguar me ligj që qysh në qershorin e vitit të kaluar të bëjë publike disa rezultate nga regjistrimi i popullsisë.
"Sipas ligjit, ESK është dashur të publikojë rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë në nivel komunal duke përfshirë numrin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave."
"Ka kaluar një vit dhe ESK ende nuk i ka bërë publike këto rezultate duke shkelur kështu Ligjin për regjistrimin e popullsisë për një çështje shumë esenciale siq është regjistrimi i popullsisë", ka theksuar Termkolli.
Ky veprim sipas saj po provon edhe njëherë se kjo qeveri po qeverisë në mënyrë banditeske, pa ligj dhe duke e shkelur ligjin.
Cili është qëllimi i fshehjes së rezultateve të regjistrimit të popullësisë, këtë duhet ta tregojë Qeveria-ESK, por është e qartë se pasojat janë evidente.
Ajo ka vlerësuar se ato kanë të bëjnë me ndarjen e mjeteve financiare për komunat sepse ato mjete ndahen nga qeveria në bazë të numrit të popullsisë.
Së dyti sipas saj kjo ka rëndësi parësore në reformimin e sistemit zgjedhor nëse kjo lidhet me një sistem me shumë zona zgjedhore.
"Shprehim dyshimet tona për ngritjen e përqindjes së numrit të popullsisë së komuniteteve pakicë në Kosovë. Kërkojmë auditim të tërë procesit të regjistrimit të popullsisë sepse konsiderojmë se janë shpenzuar mjete shumë të mëdha financiare (me 6 milion - 7000 regjistrues, e qeveria e ka bërë 11 milion me 5000 regjistrues)", ka vlerësuar Termkolli