Reforma e politikës fiskale temë e tryezës së Këshillit të Investitorëve Evropian
Prishtinë, 2 korrik – Këshilli i Investitorëve Evropian (KIE), sot organizon tryezën me titull: "Reforma e Politikës Fiskale dhe ndikimi i saj në sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik".
Qëllimi i këtij diskutimi është trajtimi i reformave të politikës fiskale dhe impakti i tyre në sektorin privat dhe veçanërisht atë mbi Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave (TAK) si dhe Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale (TAP).
Në këtë takim marrin pjesë përfaqësues nga Ministria e Financave, Administrata Tatimore e Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës si dhe përfaqësues të kompanive private të cilat operojnë në Republikën e Kosovës.
Projektligjet e përmendura më lartë janë në fazën e konsultimit publik dhe ky diskutim synon të krijojë një dialog më të gjerë mbi këto tema të rëndësishme duke ofruar një mundësi për shkëmbimin e ideve dhe pikëpamjeve midis palëve të interesit duke përfshirë sektorin privat si dhe institucionet përkatëse vendore.
Politikat fiskale kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe prandaj duhet të harmonizohen me ligjet e tjera në fuqi dhe sipas standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare dhe në përputhje me nevojat specifike të vendit me qëllim arritjen e rezultateve pozitive dhe konkrete.