Reforma e FMN-së do të jetë një nga temat kryesore të G20
Shën Petersburg, 16 gusht - Reforma e kuotave dhe menaxhimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të jetë një nga temat kryesore të diskutimit në Samitin e "G-20" në Shën Petersburg.
Sistemi i ri i ndarjes së kuotave dhe votave në FMN është miratuar që në vitin 2010, por nuk ka hyrë deri tani në fuqi meqenëse nuk është ratifikuar nga një sërë vendesh, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 2010 në Samitin e "Grupit të të Njëzetëve" në Seul u miratua paketa e reformave të FMN-së, e cila parashikonte rritjen e kuotave për vendet në zhvillim.
Në rastin e ratifikimit të saj pjesa e vendeve të BRICS në FMN do të rritej nga 10% deri në 14%. Kina do të pozicionohej në vendin e tretë pas SHBA-së, kurse Rusia në vendin e nëntë.
Në këtë rast vendet evropiane do të humbasin dy nga tetë vendet në Këshillin e Drejtorëve (Bordin) të FMN-së. Kompetencat drejtuese të vendeve në FMN janë ndarë gjithmonë në proporcion me pjesën e tyre në ekonominë botërore.
Aktualisht është krijuar një pabarazi, disproporcion evident, mendon eksperti i Institutit rus të Evropës të Akademisë së Shkencave të Rusisë, Anatoli Bazhan:
- Potenciali ekonomik i vendeve në zhvillim është duke u rritur me shpejtësi, rrjedhimisht edhe mundësia për të ndikuar në vendimet e FMN-së duhet të rritet gjithashtu. Por kjo nuk po ndodh për shkak se SHBA-ja dhe vendet e tjera të të ashtuquajturit "rajoni i artë" nuk duan të humbasin pushtetin në këtë organizatë shumë të rëndësishme. Dhe, duke zotëruar shumicën e votave, ato mbajnë pozitat e tyre.
Në vitin e kaluar pjesëmarrësit e "G-20" deklaruan mbi synimin e vet për ta mbyllur çështjen në fjalë deri në janar të vitit 2013. Por përparimi në bisedimet e udhëheqësve rezultoi i dështuar për shkak të pozicionit të SHBA-së, e cila si rezultat i reformës humbet 0.3% të kuotave.
Me shumë gjasa, pala amerikane do të përcaktohet me pozitën e vet jo më parë se në muajin tetor, kur në SHBA të fillojë viti i ri fiskal, mendon Zëvendësministri rus i Financave, Sergei Storçak:
- Ne besojmë se ky ligj do të merren parasysh gjatë kohës së miratimit të buxhetit të ri, ndërsa kjo do të thotë gatishmëri për ratifikim. Në logjikën e qëndrimit tonë nisemi nga fakti se ne si një grup shtetesh, si një klub (BRICS), kemi marrë parasysh pozitën e partnerëve në "Njëzetëshe" dhe presim për një zgjidhje të favorshme të kësaj çështjeje në vetë Shtetet e Bashkuara.
Në çdo rast, në Samitin e vet Njëzetëshja e Madhe konfirmoi mundësinë e sigurimit të resurseve suplementare për FMN-në.
Ndihma shtesë sigurisht që nuk do të jetë e tepërt për FMN-në. Rezervat aktuale të Fondit përbëjnë gjithsej vetëm 400 miliardë $. Sa për krahasim - rezervat e Rusisë tejkalojnë shumën 500 miliardë dollarë amerikanë, rezervat e Kinës - 3 trilionë $.
Me rezervave të tilla valutore vendet në zhvillim mund të bëhen vetë donatorë për Fondin Monetar Ndërkombëtar, qëllimi fillestar i të cilit ishte që të siguronte kredi për vendet në nevojë, thonë ekspertët. Ndoshta nevoja për FMN-në do të eliminohet me kalimin e kohës vetvetiu.