17 Nëntor 2024

RBI me profit pozitiv para tatimit prej 23 milionë euro

Vjenë, 25 mars – Raiffeisen Bank International AG (RBI) ka publikuar raportin vjetor për vitin 2014. Pas një viti mjaft sfidues, Grupi ka arritur të përfundojë vitin 2014 me profit pozitiv para tatimit prej 23 milionë euro.

Përkundër lëvizjeve të vlerës së valutave dhe problemeve gjeopolitike, në vitin 2014, rezultati operativ në vlerë prej 2.332 milionë euro ka qenë pak më i ulët sesa vlera e vitit të kaluar, duke shënuar ulje për 2 për qind. Ulja e profitit para tatimit nga 812 milionë euro në 23 milionë euro ka ardhur kryesisht si rezultat i një numri të efekteve të njëhershme (one-off effects - efekte që kanë ndodhur një herë por nuk përsëriten).

Ndryshimet legjislative në Hungari kanë shkaktuar një efekt të njëhershëm i cili ka pasur ndikim negativ në rezultatin e Grupit në vlerë prej 251 milionë euro. Në të njëjtën kohë, është dashur të ndahen 533 milionë euro si rezerva neto për kreditë me probleme në Ukrainë, shifër kjo e cila ishte 412 milionë më shumë sesa në vitin 2013.

306 milionë euro janë ndarë për rënien e vlerës së emrit të mirë (goodwill impairments) për bankat e rrjetit të Grupit në Rusi dhe Poloni, si rezultat i planifikimit për të hyra më të ulta për një periudhë afatmesme, dhe në Shqipëri si rezultat i ndryshimit të vlerës së mëparshme (discounting factor).

Humbja e Grupit pas tatimit ishte 463 milionë euro – duke mos përjashtuar edhe rezervat për tatimin e shtyrë për asete në vlerë prej 196 milionë euro, mjete këto të dedikuara për shqyrtimin e planifikimit të tatimeve në zyrën qëndrore të Grupit dhe në Azi.

Duke mos llogaritur profitin për interesat e pakotrolluara (non-controlling interests), i cili ka shënuar një ulje prej 16 milionë euro në minus 30 milionë euro, Grupi ka raportuar humbje të konsoliduar prej 493 milionë euro. Si rezultat, për vitin 2014, RBI AG nuk do te shpërndajë dividendën për aksionet dhe pjesëmarrjen në kapital.

Gjatë vitit 2014, të hyrat operative kanë shënuar ulje prej 7 për qind, ose 373 milionë euro në 5,355 milionë euro në krahasim me vitin e kaluar. Margjina e interesit neto është përmirësuar për 13 pikë bazë duke arritur në 3.24 për qind si rezultat i kostove më të ulta të rifinancimit në zyrën qëndrore të Grupit. Të hyrat nga interesi neto janë rritur për 2 për qind, ose 60 milionë euro në 3,789 milionë euro.

Shpenzimet e përgjithshme administrative të Grupit shënuan ulje për 9 për qind ose 316 milionë Euro në 3,024 milionë euro gjatë vitit 2014. Kjo si rezultat i lëvizjeve të vlerave të valutës ruse dhe ukrainase. Po ashtu, edhe zvogëlimi i vazhdueshëm i shpenzimeve në Republikën Çeke dhe në Poloni kanë kontribuar në zvogëlimin e shpenzimeve të përgjithshme administrative. Koeficienti i kostove/të hyrave është përmirësuar për 1.8 pikë përqindje në 56.5 për qind.

Rezervat neto për kreditë me probleme në vitin 2014 janë rritur për 49 për qind, ose 567 milionë euro, në 1,716 milionë euro në krahasim me vitin 2013.

Kjo rritje është bërë si rezultat i ndikimit të zhvlerësimit të hryvnia në Ukrainë, si dhe si rezultat i ambientit të përgjithshëm makroekonomik i cili ishte mjaft sfidues. Azia po ashtu ka kontribuar në rritjen e rezervave për mbulimin e kredive me probleme. Ndërsa, në shumicën prej vendeve të tjera ku vepron Raiffeisen, situata e riskut për kredi është përmirësuar.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)