11 Maj 2024

Rashiq merr Social nga Serbia

Prishtinë, 7 tetor - Nenad Rashiq në Kosovë mban pozitën e Ministrit të Punës e Mirëqenies Sociale por në Serbi është i regjistruar si i papunë. Republika që nuk e njeh Kosovën si shtet i jep ndihmë financiare të përmuajshme zyrtarit të lartë shtetëror të Kosovës i cili në regjistrat serbë figuron si i papunë.

Enti Kombëtar i Punësimit në shtetin Serb i jep 1 mijë euro në vit anëtarit të Partisë së Pavarur Liberale (SLS) i cili merr nga 1 mijë e 100 euro në muaj nga Qeveria e Kosovës që nga fillimi i vitit 2008 kur u emërua ministër.

Bazuar në deklarimet e pasurisë së Rashiqit në Agjencinë Kundër-Korrupsion (AKK) nga e njëjta agjenci shtetërore merr të ardhura edhe bashkëshortja e tij.

Gazeta Jeta në Kosovë, shkruan se Rashiq, në vitin 2010 ka shënuar se merr 120 euro në muaj apo 1 mijë e 440 euro në vit si ndihmë financiare. Ndërkohë në vitet 2011/12 ka shënuar edhe për vete edhe për bashkëshorten se marrin nga 1 mijë e 300 euro nga Enti i Punësimit në Graçanicë.

Enti Kombëtar i Punësimit, një agjenci shtetërore në Serbi që ka zyre të veta edhe nëpër Kosovë, nuk ka komentuar rreth kësaj çështje.

Ministri Rashiq thotë se historia e ndihmave financiare ka nisur para se të bëhej ministër në Qeverinë e Kosovës.

Ai ka deklaruar se kishte punuar në Departamentin e Shitjes në ndërmarrjen “Coca-Colla”. Një kompani greke, sipas tij, kishte blerë ndërmarrjen dhe kishte larguar një numër të madh të punëtorëve nga puna. Në mesin e tyre ishte edhe ministri Rashiq.

“Unë marrë ndihma për shkak se e kam statusin e parregullt të punës në Beograd dhe këto mjete më ndahen nga Enti Kombëtar i Punësimit”, tha ministri Rashiq, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Zyrtari i lartë shtetëror nuk e sheh si problematike përfitimin e ndihmave nga Republika e Serbisë.

“Kjo nuk lidhet me poziten time në ministri. Nëse ndërmarrja nuk do të na largonte nga puna, ndoshta nuk do të isha fare ministër sepse do të vazhdoja punën aty”, ka thënë Rashiq.

Ai përfitimin e këtyre ndihmave e lidh me zvarritjen e marrjes së një vendimi nga gjykatat në Serbi kundrejt një kërkese të ish-punonjësve të Coca-Colla’s.

“Janë bërë 12 vite e ky proces ende nuk ka përfunduar, nuk është marrë një vendim”, thotë Rashiq, duke shtuar se derisa gjykatat të vendosin për dëmshpërblim ai do të vazhdojë të marrë ndihmë nga Enti i Punësimit.

Ndërkohë në vitin 2004, siç transmeton gazeta Jeta në Kosovë, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit e kishte nxjerrë në shitje në valën e tretë edhe ndërmarrjen shoqërore mbushtorja e pijeve “Coca-Colla”, Lipjan. Fitues në këtë garë ishte shpallur një kompani që kishte ofruar mbi 2 milionë euro për blerjen e saj.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka thënë se nuk kishte përfituar nga shpërndarja e 20 për qindëshit që iu takon ish-punonjësve nga shitja e ndërmarrjes shoqërore.

“Unë nuk kam përfituar sepse nuk kam qenë në listë. As që jam ankuar për këtë. Më kanë lajmëruar se mund të ankohem por nuk më ka interesuar të ankohem”, ka thënë Rashiq.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)