Rashiq: do bëjë çështë e mundur në mbrojtjen e punëtorëve
Prishtinë, 6 qershor - Sot, ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenjes Sociale (MPMS), Nenad Rashiq, ka pritur në një takim përfaqësuesit e dy sindikatave të PTK-së ku janë diskutuar çështjet e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje dhe mbrojtja e interesit të të punësuarve në PTK.
Sindikalistët e PTK-së, fillimisht kanë kërkuar nga ministri Rashiq që të shfrytëzoj autoritetin e tij dhe të ndikoj pozitivisht në mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve në PTK dhe atë që për të gjithë të punësuarit në këtë sektor të filloj lëshuarja dhe nënshkrimi i kontratave të reja të punës, që del si obligim i çdo punëdhënësi konform Ligjit të punës, që të nënshkruhet Kontrata Kolektive në PTK para se PTK të privatizohet dhe që dy përfaqësues të këtyre sindikatave të jenë pjesë e Komisionit për Privatizimin e PTK.
Nga ana e tij ministri Rashiq është shprehur se MPMS, sikur edhe deri më tani, do të bëjë çështë e mundur në mbrojtjen e interesit të të punësuarve dhe të gjithë qytetarëve duke u nisur gjithnjë nga legjislacioni ekzistues, që rregullon çështje të caktuara të punës, punësimit, mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve e çështje tjera që janë përgjegjësi e MPMS.
Për përfaqësimin e sindikalistëve të PTK-së, si vëzhgues në Komisionin për Privatizimin e PTK, ministri Rashiq tha se menjëherë do ta paraqesë si kërkesë akute, kurse sa i përket Kontratës Kolektive në PTK dhe kontratave të reja të punës, sindikalistët, sipas ministrit, do të informohen sa më shpejtë që do të jetë e mundur.