Raporti i Auditorit nxjerrë në pah një varg dobësish në Komunën e Prizrenit
Prizren, 26 gusht - Zyra Kombëtare e Audimit (ZKA) para disa ditësh ka publikuar Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Prizrenit për vitin 2019. Gjetjet brenda këtij raporti kanë nxjerrë në pah një varg të dobësive të qeverisjes lokale, një pjesë e të cilave janë artikuluar edhe nga shoqëria civile.
ZKA ka konstatuar disa segmente të qeverisjes së dobët në Komunën e Prizrenit.
“Dobësi janë identifikuar në menaxhimin e të hyrave, menaxhimin e personelit, të shpenzimeve, menaxhimin e pasurive, rritje të vazhdueshme të llogarive të arkëtueshmeve dhe detyrimeve. Edhe niveli i lartë i pagesave të thesarit përmes vendimeve gjyqësore/përmbarimore ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve shtesë për këto pagesa”, thuhet në konkluzionet e Raportit të Audimit. Sipas ZKA-së,
Komuna edhe pse kishte ndjekur një proces formal për të monitoruar zbatimin e rekomandimeve dhe kishte ndërmarr disa veprime për zbatimin e tyre, “mangësitë e njëjta janë duke u përsëritur në disa fusha”. Auditori ka raportuar se nga 29 rekomandimet e dhëna për PFV-të e vitit 2018, deri në fund të auditimit për vitin 2019, tetë rekomandime janë zbatuar, tri ishin pjesërisht të zbatuara, gjashtë ishin rekomandime të mbyllura dhe 12 nuk janë zbatuar ende.
Te pjesa e raportit “Planifikimi dhe realizimi i buxhetit”, Auditori ka bërë të ditur se realizimi në kategorinë e investimeve kapitale ka qenë vetëm 72%, ku “pjesa më e madhe e buxhetit të kësaj kategorie ishte shpenzuar në fund vit dhe kjo kishte ndodhur si rezultat i vonesave në inicimin e procedurave të prokurimit si dhe në nënshkrimin e kontratave si dhe procedurat e zgjatura të ankesave në OSHP”. Si çështje është përmendur klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve.
Ndërsa te “Të hyrat” çështjet që janë identifikuar nga Auditori janë:
-Shfrytëzimi i parregullt i pronave komunale
-Mangësi në inkasimin e të hyrave për Leje Mjedisore Komunale
-Mungesa e dokumentacionit për lëshimin e lejes ndërtimore
-Mangësi në llogaritjen e bazës së tatimit në pronë
-Parregullsi në arkëtimin e të hyrave nga sektori i mbeturinave
Te “Pagat dhe mëditjet” si çështje Auditori ka identifikuar mungesën e vërtetimit për kompensimin e shtesës për përvojën e punës.
Ndërsa te “Mallrat dhe shërbimet” Auditori ka bërë të ditur parregullsitë në angazhimin e stafit për shërbime të veçanta, pastaj parregullsitë në përdorimin e procedurës me vlerë minimale si dhe fituesin e kontratës me obligime ndaj ATK-së.
Te “Subvencionet dhe transferet”, ZKA ka gjetur mangësi gjatë subvencionimit të OJQ-ve dhe ka rekomanduar kryetarin e Komunës se “duhet të siguroj që ka transparencë në procedura dhe vendimmarrje në gjithë ciklin e ofrimit të mbështetjes financiare, duke përfshirë publikimin e kritereve dhe procedurave, aplikimin, vendimmarrjen dhe përzgjedhjen e përfituesve”.
Te “Investimet kapitale” janë identifikuar disa çështje:
-Mungesa e projektit ekzekutiv
-Pamjaftueshmëria e mjeteve të zotuara për pagesën e faturave
-Mos-vazhdimi i sigurisë së ekzekutimit konform periudhës së zbatimit të kontratës
-Ndryshimi i pozicioneve të paramasës jo në pajtueshmëri me procedurat ligjore
-Vonesa në ekzekutimin e kontratave
Ndërsa si çështje e përbashkëta për mallrat dhe shërbimet, si dhe investimet kapitale, është përmendur dobësia në menaxhimin e pagesave.
ZKA ka identifikuar edhe mangësi në menaxhimin e pasurisë, nënvlerësim të llogarive të arkëtueshmeve dhe menaxhim jo të duhur të tyre, pastaj nivel të lartë të obligimeve të paguara jashtë afatit ligjor, mbivlerësim të obligimeve të papaguara, dhe prezantimi jo të plotë të detyrimeve kontigjente.
Si rezultat i gjetjeve për PFV-të e vitit 2019, ZKA ka paraqitur 23 rekomandime për Komunën e Prizrenit.
EC Ma Ndryshe i bën thirrje Ekzekutivit të Komunës së Prizrenit që ti zbatojë me përpikmëri të gjitha rekomandimet që dalin nga Raporti i Auditimit të ZKA-së. EC përkujton se menaxhimi i parasë publike është elementi më i rëndësishëm i qeverisjes së mirë dhe demokratike, derisa vendimmarrja transparente është parakusht i domosdoshëm për menaxhim të mirë të parasë publike.