Raportet Kosovë FMN model për të tjerët
Prishtinë, 17 janar - Kosova është shembull për disipline financiare dhe bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) ndërsa raportet në mes të Kosovës dhe FMN-sëe janë model për të tjerët, ka thënë sot shefi i ri i misionit të FMN-së në Kosovë Jacques Alian-Miniane, në konferencën e përbashkët për media me ministrin e financave Besim Beqaj dhe guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza.
Gjatë tri viteve të kaluara Kosova dhe FMN kanë arritur një rezultat shumë të mirë në aspekt të stabilitetit makroekonomik dhe fiskal dhe kjo është arritur pasi që të dyja palët kanë punuar me mirëbesim, në mënyrë konstruktive dhe sa herë që ka pasur ndonjë mospajtim janë përpjekur që ta zgjidhin në mënyrë shumë konstruktive, ka thënë shefi i misionit të FMN-së.
Miniane ka theksuar se ishte në shumë misione të FMN-së por marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe FMN-së janë model i bashkëpunimit dhe është synim i imi që këto marrëdhënie të vazhdojnë në të njëjtën mënyrë.
Ai tha se kjo vizitë nuk ka qenë mision për të negociuar programin e ri të bashkëpunimit dhe se bisedat për të do të fillojnë me rastin e vizitës së ardhshme Kosovës gjatë muajit mars të këtij viti.
Ne do të bisedojmë për një program të ri i cili do të pasqyroj pjekurin dhe arritjet që i ka bërë Kosova, tha z.Miniane.
Duke i uruar mirëseardhje shefit të ri të misionit të FMN-së në Kosovë, ministri Beqaj tha se kjo vizitë më shumë kishte për qëllim njoftimin e z. Miniane me përfaqësuesit e institucioneve të vendit. Mirëpo vizita është shfrytëzuar për të diskutuar një sërë çështjesh me rëndësi në kontekstin e negociatave në të ardhmen për mundësinë e një programi të ri me FMN-në.
Njëkohësisht ne informuam FMN-në për përmbylljen me sukses të vitit 2013, dhe për fillimin e vitit 2014. Kemi diskutuar edhe për përfromancën ekonomike dhe fiskale dhe është konkluduar se Kosova është duke ecur mirë në këto dy fusha, tha ministri Beqaj duke theksuar se programi SBA ka përfunduar me sukses më 26 Dhjetor të vitit të kaluar.
Buxheti për vitin 2014 është buxhet i bazuar në parametrat aktual ekonomik, buxhet i zhvillimit, reflekton nevojat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe adreson prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie më të mirë ekonomike për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, tha me këtë rast ministri Beqaj.
Këto negociata akoma nuk kanë filluar, por presim që diku gjatë marsit të vijë një Mision i FMN-së dhe më pas do të shohim se si do të ecin diskutimet, tha ministri i Financave duke theksuar se në Kosovë aktualisht nuk ka nevojë për përkrahje financiare nga FMN-ja.
Guvernatori i BQK-s, Bedri Hamza tha se sektori financiar në Kosovë vazhdon të jetë stabil.
Ka rritje edhe të aseteve, depozitave dhe kredive është mire i kapitalizuar, ka likuiditet të mjaftueshëm. Normat e interesit janë të larta mirëpo trendi i tyre është në rënie dhe jemi të sigurt se do të vazhdojmë bashkëpunimin e suksesshëm me FMN-në, tha Hamza.