05 Maj 2024

Rajoni i Mitrovicës mobilizohet për problemin e mbeturinave

Mitrovicë, 6 prill - Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë, janë mobilizuar për thellimin e bashkëpunimit me qëllim të zgjidhjes së problemit të mbeturinave.

Kryetarët e këtyre komunave janë takuar të mërkurën në Mitrovicë dhe janë dakorduar për bashkëveprim me qëllim të ngritjes së pastërtisë në territoret e këtyre komunave.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka theksuar se menaxhimi i mbeturinave është një prej prioriteteve të pushtetit lokal, mirëpo gjithsesi se është i rëndësishëm bashkëpunim në nivel rajonal.

Ai ka thënë se kjo është mënyra më e mirë edhe për realizimin e projekteve të kësaj fushe dhe gjetjen e donatorëve të ndryshëm.

Kryetari Kastrati, potencoi se ka shumë kompani dhe organizata të ndryshme që kanë shprehur interesimin për investime të kësaj natyre, mirëpo ende nuk është bërë diçka më tepër.

“Projektet për riciklimin e mbeturinave janë shumë të shtrenjta andaj edhe progresi është më i ngadalshëm në këtë drejtim”.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, poashtu ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në nivel rajonal sa i përket menaxhimit të mbeturinave.

“Problemi i mbeturinave dhe pastërtisë nëpër qytete është shumë i madh, andaj do të shtojmë angazhimin e përbashkët për të bërë një zgjidhje sa më të mirë”.

Ai tha se bashkërisht drejtuesit e këtyre tre komunave do të shqyrtojnë ofertat më të mira që vijnë nga kompani dhe organizata të ndryshme sa i përket projekteve që kanë të bëjnë me mbeturinat dhe riciklimin e tyre. “Ne jemi të gatshëm që të shqyrtojmë dhe gjejmë edhe hapësirën më të përshtatshme për ndërtimin e një fabrike për riciklimin e mbeturinave”.

Edhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, ka potencuar rëndësinë e zgjidhjes së problemit të mbeturinave.

Ai tha se janë bërë shumë biseda, propozime, oferta por ende nuk është lëvizur konkretisht. “Të gjithë bashkë shumë më lehtë do të gjejmë investitorë serioz që do të na ndihmojnë në këtë drejtim”.          

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)