18 Nëntor 2024

Raiffeisen Bank International me profit prej 557 milionë euro

Vjenë, 27 mars - Raiffeisen Bank International (RBI) ka realizuar 835 milionë euro profit para tatimit gjatë vitit 2013. Rezultatet operative janë përmirësuar dukshëm për 17 për qind, ose 351 milionë euro.

Këto rezultate të kënaqshme janë përballur me një provizionim më të lartë për kreditë me probleme (plus 140 milionë euro), rritjen e taksave bankare dhe rezultatet negative nga instrumentet financiare derivative dhe detyrimet.  

„Rezultatet e mira operative tregojnë sërish se modeli i biznesit tonë është i qëndrueshëm, edhe përkundër rrethanave sfiduese dhe rritjes se provizionimeve.

Si bankë, ne kemi prezantuar rezultatet më të mira në Austri, për herën e katërt radhazi,” tha Karl Sevelda, Drejtor ekzekutiv i RBI. Profiti pas tatimit për vitin 2013 ishte 20 për qind, ose 149 milionë euro nën vlerën e profitit të arritur në vitin 2012.

Ndërsa, profiti i konsoliduar për vitin 2013 ishte 557 milionë euro. Kjo ka ndikuar që të hyrat për aksion të jenë 1.83 euro. Bordi Menaxhues do të propozojë në takimin e përgjithshëm vjetor që për vitin financiar 2013 të paguhet dividenda prej 1.02 euro.

Gjatë vitit 2013, të hyrat operative janë rritur për 8 për qind, ose 432 milionë euro duke arritur vlerën prej 5,729 milionë euro në krahasim me vitin 2012.

Shpenzimet e përgjithshme administrative të RBI janë rritur për 2.5 për qind, ose 81 milionë euro, në 3,340 milionë euro, kryesisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve në Rusi, Republikën Çeke dhe Poloni (që janë ndikuar nga konsolidimi dhe integrimi i Polbank në maj të vitit 2012).

Megjithatë, koeficienti i shpenzimeve/të hyrave është përmirësuar për 3.2 pikë përqindjeje në 58.3 për qind si rezultat i rritjes së të hyrave operative.

Shpenzimet për punonjës, të cilat përbëjnë 49 për qind të shpenzimeve të përgjithshme administrative, janë rritur 2 për qind, ose 31 milionë euro, në 1,632 milionë euro. Deri më 31 dhjetor 2013, RBI kishte 57,901 punonjës (me orar të plotë pune).

Në krahasim me vitin paraprak, në vitin 2013, provizionimi neto për kreditë me probleme është rritur për 14 për qind, ose 140 milionë euro, dhe ka arritur në 1,149 milionë euro. Koeficienti i kredive joperformuese në raport me totalin e kredive për klientë ishte 10.7 për qind.

Ndërsa, gjatë vitit 2013, asetet e përgjithshme të RBI kanë shënuar ulje për 4 për qind, ose 5.5 miliardë euro, duke arritur vlerën prej 130.6 miliardë euro.

Kjo ulje ka ardhur kryesisht si rezultat i ndikimit të valutave të huaja. Kreditë dhe paradhëniet për klientë (para se të zbatohen provizionet për kreditë me probleme) ishin 80.6 miliardë euro.

Koeficienti i kredive / depozitave (kreditë dhe paradhëniet për klientë në raport me depozitat e klientëve) ishte 120.7 për qind.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)