Raiffeisen, 10 000 euro për zonat e përmbytura në Shqipëri
Prishtinë, 7 dhjetor - Pas situatës së krijuar nga përmbytjet në rrethin e Shkodrës në Shqipëri, Bordi Drejtues i Bankës Raiffeisen në Kosovë ka vendosur që të ndihmojë banorët e këtij rajoni me një shumë prej 10,000 Euro.
Kjo shumë do të transferohet në llogarinë e hapur nga Qeveria e Shqipërisë për të ndihmuar banorët e zonës.
Ne kemi përcjellur me vëmendje ngjarjet e fundit pas përmbytjeve që kanë ndodhur në Shqipëri, repektivisht në qarkun e Shkodrës, prandaj edhe këtë vit, Banka Raiffeisen në Kosovë ka vendosur që të kontribojë sadopak për banorët e zonave të prekura, tha Robert Wright, drejtor i përgjithshëm i Bankës Raiffeisen në Kosovë.
Kjo nuk është ndihma e parë të cilën Banka Raiffeisen në Kosovë e ka ofruar për banorët e Shqipërisë.
Në muajin janar të vitit 2009, Banka Raiffeisen në Kosovë kishte ndarë 10,000 Euro duke iu përgjigjur kështu thirrjes së Qeverisë së Shqipërisë për të kontribuar në tejkalimin e situatës së rëndë të krijuar pas përmbytjeve në Shkodër dhe në rajonet përreth.