Rafuna: Viti me rekord të të hyrave
Prishtinë, 2 janar - Drejtori i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se viti 2014, ka qenë një prej viteve më të suksesshme, që nga themelimi i Doganës.
Në mbyllje të vitit 2014 Dogana e Kosovës po shënon mbledhjen më të lartë të hyrave që nga vitit 2000. Viti po mbyllet, po ashtu edhe me sukses dhe rezultate të prekshme në fushën e zbatimit të ligjit ku është ngritur kualiteti i kallëzimeve penale me vlerë prej 40% më të lartë se vitin paraprak, numri i kundërvajtjeve doganore është rritur për 4 herë më shumë se vitin e kaluar si dhe procedurat e thjeshtëzuar janë standardizuar dhe rritur në numër që ndihmojnë biznesin në të bërit biznes, ka theksuar ai.
Sipas tij matja reale të hyrave doganore gjithmonë krahasohet me të dhënat historike pra me vitet e kaluara dhe si rezultat gjatë këtij viti kemi arritur një mbledhje shumë të suksesshme dhe domethënëse të hyrave për buxhetin respektivisht për afër 4 për qind më shumë se viti i kaluar. Gjatë këtij viti kalendarik kemi arritur të mbledhim afër 40 milion euro më shumë pasi ne jemi të vetëdijshëm se secili cent i mbledhur nga ne shkon direkt për mirëqenien e qytetarëve tanë, prandaj kjo edhe motivon stafin për të dhënë maksimumin e tyre.
Sigurisht arritja kryesore ishte reforma e brendshme në Doganën e Kosovës te saj ashtu që të arrijë standardet e kërkuara evropiane, kjo sfidë e filluar ka dhënë rezultate pozitive dhe tanimë organizata është përshtatur mirë dhe është më funksionale se kurrë. Por rrugëtimi i doganës nuk përfundon me reformën, pasi që koha në të cilën jetojmë kërkon më shumë angazhim dhe përditësim të procedurave dhe sistemeve të cilat duhet të jenë në përputhje me legjislacionin dhe nevojat e kohës, ka pohuar ai. Duke shtuar se në kuadër të reformës dogana ka arritur të rris të hyrat në mënyrë progresive dhe në të njëjtën kohë të jetë sa më afër biznesit ashtu që të mbahet një balancë në mes të kontrollit dhe lehtësirave doganore për bizneset e rregullta.
Vazhdimi me ritëm më të madhe të thjeshtëzimi të procedurave doganore, fillimi i zbatimi të procedurës për zgjidhje të ankesave në mënyrë alternative dhe vazhdimi i zhvillimit të një administrate doganore moderne dhe transparente për publiken do të jenë disa nga sfidat e vitit te ardhshëm, ka theksuar Rafuna për gazetën Epoka e re.