Qytetarët të shfrytëzojnë të drejtat për faljen e borxheve publike
Prishtinë, 6 prill - Ministria e Financave ka mbajtur sot tryezë diskutimi me të gjitha institucionet e përfshira në zbatim të Ligjit për faljen e borxheve publike, ku është diskutuar lidhur me ecurinë e procesit të deritashëm për faljen e borxheve.
Në këtë tryezë morën pjesë: ministri i Financave Avdullah Hoti, anëtarët e Komisionit Koordinues për faljen e borxheve publike, kryetarët e Komunave, drejtorët e Komunave për Buxhet dhe Financa, përfaqësuesit e Kompanive Publike, përfaqësuesit e Administratës Tatimore të Kosovës, si dhe përfaqësuesit e Doganave.
Ministri i Financave Avdullah Hoti në hyrje të kësaj Tryeze e çmoj dhe vlerësoj lartë punën që vazhdimisht po bëjnë Komisioni Koordinues ndërministror për faljen borxheve dhe të gjitha Institucionet të përfshira në zbatim të Ligjit për faljen e borxheve publike.
Janë mjaftë pozitive aktivitetet që deri më tani keni ndërmarr dhe që në vazhdimësi po ndërmerrni lidhur me këtë proces në përgjithësi, ashtu siç edhe janë inkurajuese planet tuaja të ardhshme për të shtuar dinamikën si dhe për të qenë sa më afër qytetarëve tatimpagues, apo konsumatorëve duke i informuar ata sa më shumë për të drejtat e tyre ligjore për të përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike. Prandaj, është një mundësi e mirë për qytetarët tatimpagues që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë ligjore që ju është dhënë, tha ministri Hoti.
Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se Qytetarët tatimpagues kanë nevojë për më shumë informacione, për të qenë më shumë të njoftuar dhe unë shpresoj që secili nga ju po e bëni një gjë të tillë, dhe po e bëni më të mirën e mundshme që kërkohet nga ana juaj.
Andaj, kërkoj nga secili që të angazhoheni edhe më shumë në gjithë këtë proces për të qenë i suksesshëm dhe për të dhënë efektin e tij. Secili nga ne jemi të thirrur për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësit karshi sfidave që kemi përpara, ne duhet të ballafaqohemi me to, me proceset dhe me punën të cilën po e bëjmë çdo ditë për qytetarët tanë shtoi ministri Hoti.
Në këtë tryezë të pranishmit diskutuan edhe për praktikat më të mira që kanë ndjekur deri më tani në zbatimin e Ligjit për faljen e borxheve publike, por gjithashtu edhe për sfidat me të cilat janë ballafaquar në këtë proces.