Qytetarët e Pejës shfrytëzojnë Ligjin për faljen e borxheve publike
Prishtinë, 24 mars - Komisioni koordinues për faljen e borxheve publike ka vizituar sot Komunën e Pejës, ku është takuar me Drejtorin e financave në këtë Komunë, me të cilin kanë diskutuar rreth implementimit të Ligjit për Faljen e Borxheve Publike në Komunën e Pejës.
Me këtë rast, Agron Thaqi, anëtar i komisionit koordinues për faljen e borxheve, në kuadër të Ministrisë së Financave, bëri të ditur se Komisioni koordinues për faljen e borxheve publike sot ka vizituar Komunën e Pejës në vazhdën e takimeve me nivelet komunale për të parë nga afër implementimin e Ligjit për faljen e borxheve publike.
Janë mjaftë pozitive aktivitetet që komuna e Pejës i ka zhvilluar për të implementuar Ligjin për faljen e borxheve publike, dhe janë inkurajuese edhe planet për të ardhmen, që të jenë më afër qytetërove duke i informuar ata sa më tepër për të drejtat e tyre që të përfitojnë nga ky Ligj, tha Thaqi.
Ai theksoi se Është një mundësi e mirë që qytetarët ta shfrytëzojnë këtë të drejtë para datës 2 shtator, sepse pas datës 2 shtator Ligji do të shfuqizohet dhe qytetarët nuk mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Anëtari i komisionit koordinues për faljen e borxheve Agron Thaqi, gjithashtu bëri të ditur se është një numër i madh i tatimpaguesve që përfitojnë nga falja e borxheve publike, sipas tij deri më tani nga 34 komuna janë inkasuar rreth 2.5 milion euro, e që kanë të bëjnë ekskluzivisht me faljen e borxheve publike.
Ndërsa, Jeton Abazaj drejtor i Financave në Komunën e Pejës, bëri të ditur se në këtë Komunë priten të falen rreth 3.8 milion euro nga borxhet e akumuluara.
Sipas statistikave që ne kemi prej gjithsej 32 mijë taksapaguesve, 14 mijë e 900 janë personave fizik që do të përfitojnë nga Ligji për faljen e borxheve publike në vlerën prej 2.93 milionë euro, ndërsa janë 2 mijë e 600 persona juridik të cilët përfitojnë nga ky ligj në vlerën prej 1.7 milion euro, tha z. Abazaj.
Me këtë rast, ai gjithashtu ju bëri thirrje qytetarëve të komunës së Pejës që të shfrytëzojnë mundësinë që ju jep Ligji për faljen e borxheve publike dhe të fillojnë sa më shpejtë në kryerjen e obligimeve dhe fillimin e proceduarave për faljen e borxheve.